Motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, i cili u gjet pa shenja jete në oborr të Doganës në prill të këtij viti, “ua ka zënë rrugën” kryeministrit dhe ministrave të tij, derisa ata po ecnin në sheshin e Prishtinës, në përkrahje të kandidatit të tyre për kryeqytet, dhe ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti.
Zëdhënësja për media, tha se me rastin është duke u marr Departamenti i Krimeve të Rënda dhe se hetimet janë duke vazhduar.
“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, është duke e trajtuar këtë rast. Prokurori i çështjes në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i zhvilluar hetimet, andaj për shkak të procesit hetimor, nuk mund të japim informata të tjera në këtë fazë”, ka bërë të ditur zëdhënësja e prokurorisë për FO.
Motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha para kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murari, ka kërkuar të dijë nëse po punohet për zbardhjen e këtij rasti, që ajo e quajti vrasje.
Ajo u ankua se ministri Sveçla nuk e ka pritur në takim, as nuk i ka kthyer përgjigje, megjithëse ka kërkuar disa herë.
“Po ju pyes juve dhe zotri Sveçlën, vëllai im Luan Berisha zyrtar i lartë në Doganë u vra në oborr të Doganës më 17 prill dhe nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash. Kemi kërkuar takim, na keni injoruar dhe nuk kemi asgjë deri tash, dhe desha të ju pyes, a jeni duke e luftuar krimin siç na keni premtuar apo jo”, thotë ajo./Gazeta Enigma/