Mëngjesin e kësaj të hëne një rast grabitjeje ka ndodhur në oborrin e qendrës tregtare Albi Mall në lagjen Veternik të Prishtinës, raporton Gazeta “Enigma”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me grabitjen që ka ndodhur sot në hapësirat e jashtme të qendrës tregtare Albi Mall, ku ka njoftuar se në bashkëpunim me hetuesit policor kanë ndalur një person, ndërsa po vazhdon ndjekjen e personave të cilët ndodhen në arrati.
“Prokurori kujdestar është informuar nga Njësiti Policor se në lagjen Veternik të Prishtinës ka ndodhur rasti i ‘’Grabitjes’’ në oborrin e një qendre tregtare Albi Mall”.
“Ndërkohë hetuesit policor në bashkëpunim me Prokurorin e shtetit kanë ndaluar një (1) person për vepër penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Prokuroria Themelore vazhdon ndjekjen e personave të cilët ndodhen në arrati”, njofton tutje Prokuroria.
Kujtojmë se Policia dhe Prokuroria kanë konfirmuar arrestimin e një personi të dyshuar, ndërsa disa të tjerë janë ende në arrati. Hetimet mbi këtë ngjarje po vazhdojnë. /Gazeta Enigma/