Prokuroria e Gjilanit: B.B u lirua, pasi ekzaminimi mjekësor rezoltoi se e mitura s’është dhunuar

Prokuroria e Gjilanit: B.B u lirua, pasi ekzaminimi mjekësor rezoltoi se e mitura s’është dhunuar

Pas raportimeve të mediave, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka bërë të ditur se zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, B.B i cili u akuzua për dhunimin e një të miture, i është ndërprerë ndalimi 48 orësh, pas rezultateve të ekzaminimeve mjekësore, raporton Gazeta “Enigma”.

Sipas Prokurorisë, ekzaminimi gjinekologjik i të miturës ka konstatuar se ajo s’ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga ai.

Rrjedhimisht, Prokuroria thotë se kanë marrë konstatimin se nuk ka pasur më dyshim të arsyeshëm B.B e ka kryer këtë vepër penale.

“Pas paraqitjes së kësaj situate, me qëllim të ndriçimit të kësaj ngjarje, me urdhër të prokurorit kujdestar, e mitura është dërguar në ekzaminim gjinekologjik në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, personi me inicialet B.B. është ndaluar për 48 orë me dyshimin e veprës penale ‘’Dhunimi’’, mirëpo pas marrjes së raportit mjekësor tek e mitura nuk janë konstatuar dëmtime traumatike dhe patoligjike, pra sipas ekspertëve mjeko ligjor e dëmtuara nuk ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga personi në fjalë dhe as nga persona të tjerë. Pas pranimit të raportit gjinekologjik dhe ndërmarrjes së veprime tjera hetimore, Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të njëjtit e ka ndërprerë masën e ndalimit 48 orësh, pasi nuk ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer këtë vepër penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Rasti për dhunimin e të miturës, sipas Prokurorisë, është raportuar më 4 nëntor në stacionin policor në Viti si person i humbur.

“Në vazhdim të hetimeve lidhur me këtë ngjarje, e mitura më 05 Nëntor 2021, kishte telefonuar familjarët e saj, duke iu treguar se gjendet në qytetin e Vitisë, ku për shkak të moshës së mitur 12 vjeç, e njëjta është dërguar dhe intervistuar në Qendrën për Punë Sociale dhe aty nuk kishte dhënë asnjë deklaratë se është keqtrajtuar seksualisht”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Sipas informacioneve që i jep organi i akuzës, akuzat për dhunim ndaj zyrtarit të LVV-së ishin ngritur nga prindërit e 12-vjeçares.

“Në po të njëjtën ditë rreth orës 14:00 në stacionin policor në Viti, janë paraqitur përsëri prindërit e të miturës, me dyshimin se vajza e tyre ishte keqpërdorur seksualisht nga personi me inicialet B.B”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndërkohë se s’ka pasur kërkesë për vazhdimin e paraburgimit ndaj B.B, e ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra. /Gazeta Enigma.

Related Articles