Pronarja e ordinancës në Malishevë ku vdiq 35-vjeçarja, ishte rrobaqepëse

Pronarja e ordinancës në Malishevë ku vdiq 35-vjeçarja, ishte rrobaqepëse

Gjakovë- Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit Xh.K., ndërsa masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarës H.K. Dy të pandehurit dyshohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, meqë rast vdiq pacientja 35-vjeçare.

Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se u aprovua kërkesa e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për paraburgim për të dyshuarin Xh.K., ndërsa u refuzua për të dushuarën H.K.

“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit Xh. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, ndërsa ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktim të paraburgimit për të pandehurën H. K, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak një (1) muaj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se i dyshuari Xh.K., në cilësinë e stomatologut dyshohet se ka përdorur metoda të papërshtatshme të mjekimit ndaj tani të ndjerës, e cila si pasojë e përkeqësimit të gjendjes, ndëroi jetë.

Po ashtu, thuhet se i dyshuari pa autorizim ligjor ka ushtruar veprimtarinë mjekësore.

“Sipas kërkesës i pandehuri Xh. K., “ Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësorë përdorë metoda të papërshtatshme të mjekimit ndaj tani të ndjerës L. Sh. nga fshati N., Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që pasi që e njëjta shkon në ordinancën e cekur më lartë për ta hequr një dhëmbë, këtu i pandehuri përdorë medikamentet si calcium, lemod-solu, alergosan, e ku pas heqjes së dhëmbit me të dal pacientja – e ndjera në oborr të ordinancës i keqësohet gjendja- humb vetëdija, me të shpejtë dërgohet në QKMF-Malishevë, e ku me pas e njëjta ka ndërruar jetë si shkak i metodave dhe terapisë së përdorur nga ana e të pandehurit. Po ashtu pa autorizim ligjor kryen trajtime mjekësore- stomatologjike, në atë mënyrë që i pandehuri si stomatolog ushtron veprimtarinë mjekësore në ordinancën gjinekologjike, pa autorizim ligjor për zhvillimin e veprimtarisë stomatologjike e ku si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme mjekësore të marruara nga ana e të pandehurit, pas trajtimit mjekësor të dhënë viktimës, e njëjta ndërron jetë, në vendin dhe mënyrën e cekur si më lartë”, thuhet në njoftim.

Kurse, thuhet se e pandehura H.K., pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore, teksa me profesion është rrobaqepëse.

“Ndërsa sipas kërkesës për të pandehurën H. K., “Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillore, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës- i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh. Po ashtu nga koha e pacaktuar e gjerë me datë 22.08.2023, me dashje dhe pa autorizim falsifikon dokumentin në emër të institucionit tjetër dhe atë të QKMF-së në Malishevë, në atë mënyrë që e njëjta si pronare e biznesit “D.”, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe student si dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës”, thuhet në njoftim.

Themelorja njofton se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ilir Rashkaj, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Xh. K., pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndërsa për të pandehurën H. K., ka vlerësuar se caktimi i masës së arrestit shtëpiak është i mjaftueshëm për sigurimin e prezencës së të pandehurës dhe zhvillimin normal dhe të papenguar të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Related Articles