Protestë në Beograd kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi

Protestë në Beograd kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi

Qindra nacionalistë serbë dhe të krishterë ortodoksë marshuan në Beograd të dielën për të protestuar kundër planit perëndimor që synon përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Shumë serbë e shohin Kosovën, ku ndodhen kishat dhe manastiret kryesore të besimit ortodoks serb, si zemrën e kombit serb.

Nacionalistët serbë, të cilët gjithashtu duan lidhje më të ngushta me Rusinë, aleate e vjetër e Serbisë, kritikojnë presidentin Aleksandër Vuçiq për rolin e tij në bisedimet mbi një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, me Kosovën.

Më 27 shkurt, Presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u pajtuan për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk e nënshkruan atë.

“Populli i Serbisë që leu këtë tokë me gjak nuk do ta lëshojë Kosovën serbe, sepse Kosova është e shenjtë”, tha Zorica Mojsiq nga Beogradi teksa ecte me marshuesit e tjerë.

Kisha Ortodokse Serbe organizoi lutjet e saj për Kosovën, të cilat do të zgjasin deri në Pashkë, por nuk mbështeti publikisht marshimin dhe klerikët e saj nuk morën pjesë në të.

Të premten, Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije tha gjatë një predikimi se “askush nuk duhet t’i mësojë kishës… çfarë është Kosova… Çlirimi i Kosovës me fjalë është i lehtë”.

Related Articles