“Kur në Kosovë do të agojë, Albin Kurti më s’do të rrojë” – Të martën e 2 shtatorit në Veri të vendit janë shfaqur disa grafite kërcënuese ndaj Kurtit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Enigma zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Të martën pas orës 21:00 në rrugën “Vasilije Ostrovski” në Mitrovicë të Veriut, në mur është shkruar një shkrim adresuar kryeministrit Albin Kurti. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar rasti është inicuar si “Kanosje”. Nuk ka të dyshuar e as të arrestuar. Shkrimi i njëjtë me pamje grafike ishte vendosur më herët në rrjetin social Telegram”, thuhet në përgjigjen e Elshanit.
“Nëse ka eskalim të situatës në Veri, ne jemi këtu”
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë për rajonin e veriut, i cili tha se nëse këto grafite ndikojnë në eskalimin e situatës në Veri, Policia e Kosovës është këtu, nuk ka vend për shqetësim.
“Nuk ka vend për shqetësim sa i përket sigurisë në veri, butoni apo ajo pulla e panikut është në Serbi, nëse ata e prekin atë, atëherë ne këtu kemi ndonjë zhvillim, derisa të vijë ajo kohë ne jemi duke punuar. Në rast se ka diçka të tillë për t’u marrë, ne jemi këtu”, ka deklaruar Elshani.
Tutje ai ka theksuar se ata vazhdimisht janë duke punuar që të ketë më shumë stabilitet atje, por nëse ka eskalim të situatës ne jemi këtu për këtë punë.
“Nuk ka vend për shqetësim. Kjo nuk është diçka e re, ne e kemi thënë gjithmonë, situata është e qetë, por është delikate. Në rast se vjen puna për ndonjë eskalim që shteti fqinj e do atë, ne jemi këtu dhe merremi me atë punë, nuk ka vend për shqetësim”, tha Elshani për “Enigmën”.
“Grafitet në Veri janë fushata politike që synojnë tensione ndëretnike”
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se grafitet në Veri kundër Kurtit synojnë nxitje të tensioneve ndëretnike dhe minimin e autoriteteve institucionale.
“Shfaqja e grafiteve në komunat veriore të Kosovës kundër Kryeministrit të Republikës së Kosovës nuk përfaqëson një qëndrim të lirë qytetar, por është pjesë e një fushate të organizuar politike dhe propagandistike që synon nxitjen e tensioneve ndëretnike dhe minimin e autoritetit institucional të shtetit”, tha Shala.
Tutje ai ka theksuar se institucionet e vendit janë që të gjitha reagimet nga ana e tyre ndaj kësaj situate të jenë ligjore.
“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që reagimi ndaj këtyre akteve të jetë ligjor, i matur dhe i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë. Mesazhe të tilla nuk mund të destabilizojnë rendin kushtetues dhe nuk do të lejohet që të përdoren si pretekst për eskalim”, tha ai.
“Qytetarëve serbë të Kosovës u bëhet thirrje që të mos bien pre e manipulimeve të tilla dhe të mos lejojnë instrumentalizimin e komunitetit për qëllime politike të Beogradit. Siguria, liria dhe e ardhmja e tyre janë të garantuara vetëm brenda kornizës institucionale të Republikës së Kosovës”, tha Shala për “Enigmën”.
“Kosova do të mbetet e angazhuar në dialog dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke mos lejuar kthimin pas në kohët e krizës dhe destabilizimit”.
Raste të ngjashme të provokimeve të serbëve raportohen pothuajse çdo ditë në Kosovë. Edhe sot u raportua jë rast i tillë , ku të mërkurën në orët e vona Policia në Bërnjak ia gjen shtetasit serb një vulë të strukturave paralele.
“PKK. Bërnjak / 03.09.2025 – 23:50. Njësitet policore gjatë kontrollit në veturën me targa të Serbisë të cilën e drejtonte i dyshuari shtetas i Serbisë, kanë gjetur dhe konfiskuar një vulë të strukturave paralele në gjuhën serbe”, ka thënë Policia. /Gazeta Enigma/