Partia Socialdemokrate sot ka dorëzuar në Prokurori kallëzim penal ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e denoncuar se është “veteran i rrejshëm” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas deponimit të kallëzimit penal, para mediave ka folur kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili ka kritikuar kryeministrin Kurti për heshtjen e tij.
“Ai e ka politikën e strucit sa herë që ballafaqohet me të vërtetat që atij nuk i pëlqejnë. Ne besojmë se qasja e Qeverisë Kurti, sidomos Kurti II, ka qenë anti-UÇK. Nuk po them se ai nuk e don UÇK-në, por ka një tendencë me e ri-shpjegu kush janë UÇK-ja dhe kush ishin udhëheqësit e saj”, ka thënë Molliqaj.
Ai ka akuzuar Kurtin edhe për veprime populiste.
“Ky kryeministër ka paguar rreth 15 milionë euro nga buxheti i shtetit për polisat e sigurimeve për mërgatën. Të gjithë ne e dimë, se e kemi dikë jashtë vendit, që 15 euro nuk janë ku e di çka për mërgatën, por janë vonesat e gjata në kufi dhe mos pajisja me Kartonin e Gjelbër ajo çfarë i mundon ata. I njëjti kryeministër po vazhdon të paguajë rrymën për një pjesë të popullatës, e kam fjalën për veri, edhe tash kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur që edhe ata duhet të faturohen”, ka thënë Molliqaj.
Ai ka thënë se PSD-ja nuk janë kundër pastrimit të listave të veteranëve, por se mendon se kjo duhet të niset nga kryeministri Kurti.
Ne nuk jemi kundër pastrimit të listave, ne e dimë që mund të ketë manipulime aty, por kjo punë duhet të niset nga Prokuroria dhe le të nisim nga kryeministri, e pastaj të tjerët./Gazeta Enigma/