Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin të pranishëm dje në Samitin e Bashkimi Evropian, ku temë diskutimi përveç dhënies së statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë për në Bashkimin Evropian, ishte edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Për qytetarët e Kosovës ky takim ishte dëshpërues, pasi vizat nuk u liberalizuan, pavarësisht përmbushjes së kritereve dhe thirrjeve të përfaqësueseve politik nga Kosova hasën në vesh të shurdhër.
Liberalizimi i vizave premtim “i avulluar”
Analisti për çështje politike, Gazmir Raci tha për Gazetën Enigma se ishte fatkeqësi që nuk ndodhi liberalizimi i vizave. Përveç kësaj, ishte fatkeqësi që as në konkluzionet e dala mbrëmë nga takimi i liderëve nuk u përmend ky proces.
“Ishte fatëkeqësi që nuk ndodhi liberalizimi i vizave për Kosovën. Poashtu, ishte fatëkeqësi që as konkluzionet e dala mbrëmë nga takimi i liderëve nuk u përmend liberalizimi i vizave. Liberalizimin e vizave e meritojnë qytetarët e Kosovës sepse i kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe ne nuk mund të vazhdojmë të jemi viktimë e çështjevë të brendshme politike në disa shtete anëtarë të Bashkimi Evropian”, tha Raci.
Ndërsa, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se çështja e liberalizimit të vizave ka qenë gjithmonë më komplekse se që është paraqitur.
“Çështja e liberalizimit ka qenë gjithmonë më komplekse se që është paraqitur. Vendimmarrja e BE-së është e atillë që ju mundëson një grupi të vogël shtetesh t’a bllokojnë procesin, shpesh edhe pa arsye bindëse”, tha Cakolli për Gazetën Enigma.
A ka shpresë për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës?
Raci tha se në takimin e radhës do ta kemi sakt dhe qartë kur do të kemi liberalizim të vizave.
“Pasi nuk pati dje zyrtarisht votë kundër, por u lë për një fazë tjetër, besoj që në takimin e radhës (tetor) do ta kemi sakt dhe qartë kur do ta kemi liberalizimin e vizave”.
Ndërsa, Cakolli theksoi faktin që liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është përfshirë në konkluzionet e Samitit, sipas tij është tregues i qartë që gjasat të jenë minimale që të ketë vendimmarrje për këtë çështje.
“Fakti që liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është përfshirë në konkluzionet e samitit, është tregues i qartë që gjasat janë minimale që të ketë vendimmarrja për këtë çështje, të paktën deri në vjeshtë të këtij viti. Sidoqoftë, nëse merret parasysh situata mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, me këtë të fundit që në çastet e fundit votoi për heqjen e vetos, nuk mund të përjashtohet ndonjë befasi për të mirë në orët në vijim, ndonëse për këtë gjasat janë shumë të vogla”, tha ai.
Pse nuk ndodhi liberalizimi i vizave?
“Po duket që në Francë ka probleme me krijimin e mazhorancës parlamentare pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale dhe për shkak të problemeve të tyre të brendshme ne mbetemi ende peng me mosliberalizim”.
Kështu theksoi Raci, derisa shtoi se Franca si një ndër anëtaret kryesore të Bashkimit Evropian duhet të vendos për përspektivën e qartë ndaj Ballkanit Perëndimor.
Raci thotë se “Kosova i takon Evropës dhe duhet të jemi sa më shpejtë të jetë e mundur pjesë e Evropës, përndryshe hapet mundësia për ndikime të tjera, siç është ndikimi rus”.
Kurse, Cakolli thotë se Franca, e vetme nuk mund t’a bllokojë vendimarrjen në Këshillin e ministrave të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave. Madje, sipas tij as atëherë edhe nëse aty është një shtet i tretë.
“Franca, e vetme, nuk mund t’a bllokojë vendimmarrjen në Këshillin e ministrave të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. As Franca dhe Holanda të marra së bashku. Madje, as edhe nëse aty është edhe një shtet i tretë”, theksoi Cakolli.
Sipas tij, proceduralisht, vendimi për liberalizimin e vizave mund të jetë i bllokuar vetëm nëse të paktën 4 shtete të BE-së, të cilat duhet të përfaqësojnë të paktën 35% të popullsisë së BE-së, janë kundër.
Në Samitin e BE-së është bërë thirrje për liberalizim të vizave, pavarësisht skepticizmit të Francës për ngecje të këtij procesi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalimin e tij në këtë Samit ka thënë se mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një kidnapim.
Rama në deklaratën e tij ka thënë se kjo është një çmenduri dhe duhet të marrë fund.
“Është edhe një tjetër kidnapim në proces, që është kidnapimi i qytetarëve të Kosovës, të cilëve nuk u lejohet të lëvizin lirshëm në Evropë, është i vetmi popull në Evropë që nuk mund të lëviz lirshëm. Dhe e dini çfarë, ata kanë qenë nën diktaturën jugosllave dhe kanë mundur të lëvizin, të shkojnë në Gjermani, Zvicër, kudo. Që kur janë çliruar, çlirimtarët e tyre po i mbajnë pengje, nuk mund të lëvizin. Kjo është çmenduri, turp, kjo duhet të marr fund dhe njerëzit duhet të lëvizin lirshëm”, ka thënë Rama.
Këtyre thirrjeve nuk i mungoi as zëri i Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani. Presidentja ka kërkuar që këtë mbështetje me fjalë ta kthejnë në hapa konkretë për Kosovën.
“Fjalët duhet të na kthehen në hapa konkretë. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave. Mendoj se deklaratat duhet të kthehen në veprime konkrete e të votohet në nivel të këshillit të ministrave për liberalizim”, tha Osmani në një konferencë për media pas mbledhje.
Presidendja Osmani thotë se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që kemi dëgjuar deri më tash për liberalizim, përfshirë edhe vendet që e kanë pasur në të kaluarën kanë hezituar.
Osmani theksoi që llogarisin në mbështetjen e të gjitha shteteve, pa veçuar asnjë me emër.
“Siç thashë sot në takim ne llogarisim në udhëheqjen e tyre, sepse për sa kohë që lejohet një vakum në Ballkanin Perëndimor, padyshim që Rusia do të përdorë në qëllimet e saj keqdashëse,” shtoi ajo.
Sipas Osmanit kanë dëgjuar shumë deklarata mbështetetëse për Kosovën, për perspektivën evropiane, për liberalizimin e vizave dhe për rreshtimin e Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia dhe Turqia janë të gjitha vende kandidate zyrtare për t’u anëtarësuar në BE, megjithatë Bosnja dhe Kosova janë vetëm vende kandidate potenciale. /Gazeta Enigma/.