Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Për Serbinë, ky veprim minon stabilitetin rajonal.
Më 18 mars, ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Kroacisë nënshkruajnë një deklaratë për forcim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, përfshirë luftimin e kërcimeve hibride.
Kroacia tha se si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ka një njohuri të çmuara dhe dëshiron t’i ndajë me aleatët e saj.
Tri vendet u zotuan se do të angazhohen për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e hapave për mbrojtjen e territoreve dhe popujve të tyre për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ani pse nuk është përmendur askund, Serbia reagoi shpejt.
Deklaratën e cilësoi provokim dhe rezultat të një strategjie që synon izolimin e Serbisë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur një garë armësh, por që vendi i tij do të mbrohet nga çdo agresor i mundshëm.
Disa e panë këtë reagim të Beogradit si tentim për të zhvendosur vëmendjen nga protestat e studentëve që po mbahen në Serbi që disa muaj.
Ministria e Jashtme e Kosovës reagoi ashpër ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë duke thënë se ato nuk janë vetëm agresive dhe kërcënuese por edhe shkelin marrëveshjet e Brukselit.
Për Ramadan Ilazin, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studimet e Sigurisë, Nisma e Re Ballkanike është e rëndësishme sepse është arritur në periudhë të vendimeve të papritura nga aleancat e mbrojtes në botë.
“Unë nuk jam optimist se kjo deklaratë shënon fillimin e një krijimi të një blloku formal të mbrojtjes, por më shumë të një grupi të ri të shteteve në Evropë, të cilat e ndajnë të njëjtin shqetësim ose të njëjtin vlerësim të situatës së sigurisë në Evropën Juglindore”.
Një zyrtar i NATO-s, i tha Radios Evropa e Lirë se Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuese e të kamotshme për stabilitet rajonal edhe përmes kornizës së KFOR-it, dhe se aleanca është në dijeni për nismën e re.
Tri vendet nënshkruese të deklaratës paralajmëruan se nisma mund të zgjerohet, ndërsa nga ministrat e Mbrojtjes u përmend emri i Bullgarisë.
Mali i Zi tha se nuk është në dijeni nëse është ftuar për të qenë pjesë e Nismës, ndonëse ajo nuk do të ndikonte negativisht në politikën e tij të jashtme.
Beogradi tha se do të kërkojë informacione të hollësishme nga Shqipëria dhe nga Kroacia, por Zagrebi u përgjigj duke thënë se ka kaluar koha kur ai kërkonte leje prej tij se si të vepronte dhe me kë të bashkëpunonte.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq tha se e kupton që në Serbi po përpiqen të kërkojnë probleme diku tjetër, porsa ato nuk gjenden në deklaratën e nënshkruar nga shtetet fqinje, e cila mes tjerash ndihmon përpjekjet e Kosovës dhe Shqipërisë në kryerjen e reformave.
Kosova është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri dhe së voni miratoi në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë, për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes saj dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.