Është zbuluar përbërja e Ekipit Menaxhues që po e përgatit draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka publikuar vendimet përgjatë viteve në lidhje me përbërjen e Ekipit Menaxhues.
Përbërja aktuale e këtij ekipi është kjo: Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq, Jelena Beloviq dhe Danijela Vujiçiq. Kjo e fundit, siç kishte konfirmuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është kryesuesja e Ekipit Menaxhues, deputete në Kuvendin e Serbisë nga partia e Aleksandar Vuçiqit.
“Nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar; Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq. Dy tjerë janë ndryshuar vazhdimisht. Danijela Vujiçiq është anëtarja më e re e këtij ekipi, sipas vendimit të vitit 2020. Njëherësh, ajo është emëruar edhe si koordinatore e Ekipit Menaxhues”, shkruan Krasniqi në Facebook.
Me vendimin e parë të ministrit të atëhershëm Slobodan Petroviq në vitin 2013, Igol Kalamar, Ljubomir Mariq, Dragan Jablanoviq dhe Dejan Radojkoviq ishin të emëruarit në këtë ekip.
Vendimi u ndryshua në vitin 2016 nga ministri i atëhershëm, Ljubomir Mariq. Ai e kishte hequr veten dhe Dragan Jabllanoviqin nga përbërja e ekipit, duke i futur si anëtarë të rinj Vinka Radosavljeviqin dhe Svetislav Durleviqin.
Dy të fundit u hoqën nga përbërja e këtij ekipi me vendimin e fundit, të vitit 2020. Vinka Radosavljeviq dhe Svetislav Durleviq u zëvendësuan me Jelena Beloviqin dhe Danijela Vujiçiqin. Vendimin e kishte marrë kryetari i Listës Serbe, ministri i atëhershëm i MAPL-së, Goran Rakiq.
Këta, ministri Krasniqi më 18 prill i ka ftuar në një takim, por s’ka marrë përgjigje.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka kërkuar që ta shkruajë vetë draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por për këtë kompetencat i ishin dhënë Ekipit.
Më 2 maj, Kurti pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Ndërmjetësuesi europian i dialogut, Miroslav Lajcak ka konfirmuar se në atë takim do të shqyrtohet edhe drafti i statutit të Asociacionit.