Publikohen detaje të reja rreth rastit tragjik në Valbonë ku vdiq një alpinist nga Kosova

Publikohen detaje të reja rreth rastit tragjik në Valbonë ku vdiq një alpinist nga Kosova

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në vendin e quajtur “Maja e Thatë”, në Luginën e Valbonës ku është gjetur i pajetë një alpinist nga Kosova.

Pas më shumë se 24 orësh, ekipet e kërkim – shpëtimit kanë arritur që ta tërheqin trupin e pajetë të viktimës.

Kështu, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka dhënë detaje se si ndodhi e gjithë ngjarja, nga rrëshqitja e qytetarit të Kosovës, ndihma e parë që ia ofruan alpinistët e deri te ndërhyrja me helikopter për ta tërhequr trupin e pajetë.

“Pa humbur kohë është kërkuar nga institucionet mbështetje nga ajri me helikopter, por përgjigja ka qenë negative për arsye teknike. Shpëtuesit tanë së bashku me policë kujdestar dhe Ekipin e Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit Malor i Shqipërisë nga Valbona janë nisur në drejtim të vendaksidentit. Duke e patur parasysh konfiguracionin e terrenit dhe mungesën e mbështetjes ajrore, evakuimi i bjeshkatarëve të ngujuar në faqen shkëmbore të majës së Thatë ka zgjatur gjatë tërë natës”, thuhet në njoftim

“Kurse skuadra e dytë ka lëvizur në drejtim të viktimës duke e përgatitur evakuimin e tij, në mënyrë teknike deri te pozita ku pretendohej që do të ateronte helikopteri i premtuar. Edhe pas shumë thirrjeve dhe komunikimeve maratonike nuk është siguruar asnjë helikopter shtetëror që do të transportonte pajisje shtesë dhe shpëtues për realizimin e operacionit,nga komunikimet zyrtare vazhdimisht kishte justifikime të natyrave të ndryshme”.

“E gjithë vonesa e evakuimit të viktimës ishte shkaku i premtimeve boshe, jo sikur është raportuar mos qasja te viktima, shpëtuesit kanë arritur te viktime në kohë rekorde. Duke u bazuar në situatën e ndërlikuar me shumë pa qartësi dhe pengesa burokratike, ka lind nevoja që të kontaktohet kompania private VIVA Helicopters të cilët në kohë rekorde dhe shumë profesionale kanë realizuar transportimin e shpëtuesve së bashku me pajisje dhe më në fund edhe evakuimin e viktimës deri në luginën e Valbonës, ku edhe pritnin autoritet relevante”.

“Gjatë operacionit 26 orësh duke e llogaritur pranimin e thirrjes deri në kthimin e shpëtuesit të fundit ShKShMK ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri Z. Skender Durmishi, i cili në vazhdimësi ka mbajtur kontakt dhe është mobilizuar për ndërlidhje diplomatike dhe ofruar mbështetje morale e institucionale për operacionin që zhvillohej”.

Related Articles