Në fabrikën “Floil” në Gjilan, e vetmja në Kosovë që prodhon vaj ushqimor, ka vite që shqiptarë dhe serbë punojnë së bashku, duke lënë anash paragjykimet.
Qëkurse Rusia nisi agresionin e saj mbi Ukrainën, para më shumë se një muaji e gjysëm, filluan të rriten edhe shqetësimet për ndikimin e luftës në ekonomitë e vendeve, rritjen e çmimeve të ushqimeve e të derivateve.
Në Kosovë u krijua panik për shkak të ngritjes së çmimeve esenciale ushqimore, sidomos të vajit që shkoi deri në 3.49 euro për një litër.
Është vetëm një rafineri në Kosovë që prodhon vajin ushqimor – “Floil”, me pronar Berat Mustafën, i cili thotë se gjendja tani është stabilizuar dhe se ka vaj.
“Duhet ta kuptojnë se pak mediat dhe rrjetet sociale kanë ekzagjeruar tej mase problemin e vajit dhe u krijua një panik në popullatë dhe kjo ndikoi, por tani është stabilizuar gjendja me vaj. Ka vaj, nuk janë kërkesat enorme, e kështu me rrallë, dhe është duke u stabilizuar gjendja”, thotë pronari i “Floil”-it.
Në këtë fabrikë punojnë mbi 110 punëtorë, e në mesin e tyre janë edhe katër punëtorë të nacionalitetit serb.
Pronari i fabrikës, Mustafa, thotë se duhet fokusuar te prodhimi dhe do të ketë vend për të gjithë.
“Tashti, prodhimi edhe politika dallojnë, ta shohim botën dhe zhvillimin përpara, e kaluara është e kaluar, tash jeta edhe proceset duhet të shkojnë përpara. Ne, si kompani, kemi mbi 110 punëtor edhe, e keni parasysh, jemi duke u rritur edhe do të ketë vend për të gjithë”, tregon ai.
Mustafa tregon se interesimi i serbëve për të punuar në fabrikën e tij është shumë i madh.
“Ku veprojmë ne, këtu, në këtë pjesë, jemi afër me Komunën e Parteshit edhe interesimi është goxha i madh i serbëve për të punu në kompaninë tonë. Ne tash kemi katër punëtor të komunitetit serb, është çdo send në suaza të normales edhe puna edhe sjellja mes punëtorëve”, thotë pronari i fabrikës, në një bisedë për NP.
Miloš Jancić, nga fshati Pasjan i Gjilanit, tregon se ka nisur punën në këtë fabrikë që tre vite. Ai ka treguar se iu ka bashkuar punës me dëshirën e tij.
“Unë e kam nisur punën në fabrikën e vajit gati që tre vite, puna po ecë mirë. Marrëdhënia me kolegët shqiptarë është e shkëlqyeshme dhe nuk kemi asnjë problem. Unë kam ardhë me dëshirë timen në punë, deri tani është mirë, krejt super, jam i kënaqur me të gjitha punët. Unë jam duke e bërë punën e operatorit te kaldaja”, thotë Milos Jancić për NP.
Rafineria ka qenë me fat, thotë Mustafa, pasi ka vështirësi në gjetjen e punonjësve të profileve të specializuara, p.sh. operatorë të ngrohjes.
“Serbët nuk kanë hezitu me ardhë me punu te ne, janë duke punuar mirë. Janë operator të nxemjes te rafineria, janë të specializuar për atë punë, ndërsa te komuniteti i jonë nuk kemi mundur me gjetë njerëz që dinë të punojnë në temperatura të larta, kurse serbët kanë përvojën e tillë dhe ka qenë një fat i jonë që i kemi pasur ata”, thotë ai.
Pronari i kësaj fabrikë thotë se është i hapur që të ketë të punësuar edhe nga komunitetet e tjera në të ardhmen, pasi fabrika e tij po zgjerohet.
“Unë nuk kisha hezitu po të ketë edhe nga komuniteti rom, ashkali, egjiptianë edhe nga nacionalitete tjera do të ishin të mirëseardhur, janë pjesë e shoqërisë tonë dhe duhet t’i trajtojmë të barabartë me neve dhe duhet të zhvillojmë shtetin tonë të gjithë të barabartë”, thotë i bindur Berat Mustafa, duke dhënë një mesazh të qartë se nuk duhet të ketë ndasi në biznese.
Menaxheri i cilësisë dhe prodhimit në “Floil”, Etrit Bishtica, thotë se nuk ka paragjykime deri tani dhe se marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve në këtë fabrikë janë të shkëlqyera.
“Trajtimi i punëtorëve është i barabartë, pa marrë parasysh kombësi apo fe, trajtimi i të gjithë punëtorëve është i barabartë. Deri tani nuk kemi pasur paragjykime nga të tjerët për punësimin e serbëve në fabrikën tonë. Të gjithë punëtorët janë të kënaqur, kanë marrëdhënie të mira ndërmjet vete”, thotë Bishtica.
Ky artikull fillimisht është botuar në New Prespektiva