Ka përfunduar dita e dytë e grevës së punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës, të cilët kanë vazhduar të kërkojnë nga qeveria dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ekzekutimin e pagave për muajin tetor.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Gëzim Bimbashi ka thënë se kjo është situatë emergjente që kërkon reagim të menjëhershëm për transmetuesin publik dhe fatin e 700 punëtorëve.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti të mos e zgjasë këtë situatë dhe të bëjë zgjidhje ligjore. Zgjidhje ligjore ka, dhe vetëm duhet të ekzistojë një vullnet i Qeverisë që të alokohen mjetet për RTK. Mjetet dhe buxheti i RTK është i ndarë, por siç e dimë kemi telashe me konstituim të Kuvendit. Në mungesë të Kuvendit ne i bëjmë thirrje kryeministrit që të ndërhyjë më shpejt sepse situata nuk pret më”, ka thënë ai.
Më tej Bimbashi ka thënë se ka pasur prapavijë që greva të etiketohet që është me motive politike. Ai iu është kundërpërgjigjur këtyre etiketimeve duke thënë se “nuk është politike ta kërkosh pagën që të takon me ligj”.
“Dy adresime ia kemi bërë menaxhmentit që të bojkotohet fushata elektorale dhe nëse dikush thotë se kjo nuk është ligjore, atëherë pyetja jonë shkon, a është ligjore me mbetë 700 familje pa pagë të cilat u takojnë me ligj për punën profesionale. I përgëzojë punëtorët e RTK-së për qëndresën e tyre që edhe përkundër telasheve të mëdha po e informojnë publikun. Është një sakrificë e madhe sepse kemi kolegë që udhëtojnë nga qytetet e ndryshme të Kosovës”, tha ai.
