Eugen Cakolli nga KDI ka deklaruar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim lidhur me ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), raporton Gazeta “Enigma”.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka thënë se PZAP ka refuzuar si të pasafatshme ankesat e LVV-së për anulimin e rezultateve të votimit me postë dhe përsëritjen e këtij procesi.
Ndërkohë, është aprovuar ankesa e LVV-së për rinumërimin e 1,631 votave të shpallura si të pavlefshme në kuadër të votave jashtë vendit, sipas propozimit paraprak të Sekretariatit.
“PZAP-ja i ka refuzuar si të pasafatshme ankesat e LVV-së lidhur me anulimin e rezultateve të votimit me postë dhe përsëritjen e këtij procesi. Ndërsa, është aprovuar ankesa e LVV-së lidhur me rinumërimin e 1,631 votave të shpallura si të pavlefshme në kuadër të votave jashtë vendit – sipas propozimit paraprak të Sekretariatit”, ka shkruar ai. /Gazeta Enigma/