Qasja e Ramës karshi veriut, a po i zbeh marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë

Qasja e Ramës karshi veriut, a po i zbeh marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë

Deklaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, lidhur me situatën në veri të Kosovës kanë marrë jehonë në vend, teksa po vlerësohet se ato veç po e thellojnë moskordinimin midis Ramës e kryeministrit kosovar, Albin Kurtit, shkruan Gazeta Enigma

Rama ndërr të tjera u akuzua se me rastin e agresionit të Serbisë më 24 shtator nuk po i del krah Kosovës.

“Veriun e Kosovës ta marrë nën kontrollë KFOR-i”, ka thënë Vuçiq.

“KFOR-i ta marrë nën kontrollë veriun e Kosovës”, ka thënë Rama.

Këto dy deklarata kaq të ngjashme, kanë ngjallur reagime të shumta, si nga kryeministri i vendit, deputetet, ministrat e analistat.

Edhe deklarata e tij e çuditshme se “Kosova është pikë e nxehtë, me kalimin e viteve është bërë tokë e askujt“, për gazetën britanike, i trazoi ujërat akoma më shumë.

Rama e ka quajtur Kosovën si një pikë të nxehtë, duke shtuar se “me kalimin e viteve Kosova është bërë toka e askujt”.

“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, deklaroi Rama për Financial Times.

Por, reagimi i gazetës britanike ka qenë i menjëhershëm, ku sqaruan se kur Rama flet për “tokën e askujt”, e ka pasur fjalën për pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe jo për Kosovën.

“Ne e kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar Edi Rama po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, ka shkruar gazetari i Financial Times.

Kurse, pas deklaratës së Ramës se “Veriun e Kosovës duhet ta marrë nën kontroll KFOR”, i është kundërpërgjigjur kryeministri i Albin Kurti.

“Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i”, ka thënë Kurti.

Pas këtyre deklaratave ngacmuese drejtuar Kosovës, kryeministri i Shqipërisë u akuzua se po i mbanë anën Serbisë.

Për këto akuza, Rama tha se “në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza”.

”Nga ana tjetër, kam parë po ashtu se si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza, kinse patriotizmit, që siç thotë ajo fjala ‘është streha e fundit e maskarenjve”’, deklaroi Rama.

“Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe për njohjen përfundimtare të Kosovës me zërin e vet”, kishte potencuar kryeministri Rama.

Ndër të tjera, në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës, Edi Rama u bëri thirrje evropianëve që të marrin masa ndaj Serbisë.

Qasja e kryeministrit Edi Rama karshi zhvillimeve në veri, a po i zbeh marrëdhëniet mes dy Kosovës dhe Shqipërisë?

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Amir Shabani, në një prononcim për Gazetën Enigma, thotë se në këtë situatë që gjendet momentalisht Kosova, e vëshitrësojnë liderët e Ballkanit Perëndimor, të cilët sipas tij e devijojnë kahjen e ndihmës me deklarata skandaloze.

“Gjendjen e Veriut të Kosovës edhe më shumë e vështirësojnë liderët e Ballkanit Perëndimor të cilët ndonjëherë e devijojnë kahjen e përkrahjes dhe ndihmës me deklarata skandaloze. Konkretisht, kryeministri Edi Rama ka goditur shumë keq me deklaratën e fundit, për mendimin tim, pasiqë të thuash se Kosova është tokë e askujt, shfaq prishje të raporteve vëllazërore fillimisht, e më pas edhe ia lehtëson paraqitjen agresorit të Ballkanit, siç është Serbia”, tha Shabani.

Shabani thotë se është momenti që Kosova dhe Shqipëria të bashkohen si kurrë më parë karshi konfilkteve të rajonit.

“Koha është që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen si kurrë më parë përball konflikteve të rajonit, Shqipëria ta ndihmojë Kosovën, pavarësisht bindjeve politike të krerëve të shteteve, sepse bëbet fjalë për arritjen e paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe trasimin e rrugës së integrimit në BE. Nuk duhet hamendur në këtë drejtim dhe nuk duhet lejuar që Serbia në Ballkan të luajë rolin e Rusisë në botë dhe këto janë momente kyçe që aktorët ndërkombëtarë ta kuptojnë se shkaku i destabilzimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor është vet Serbia”, përfundoi Shabani për “Enigmën“.

Edhe politologu Fidan Ukaj, thotë se tash e një kohë raportet mes krerëve institucional të Kosovës dhe kryeministrit Rama janë ftohur shumë, përderisa para disa muajsh pati edhe bojkotim takimesh.

“Mund të themi lirisht se raportet mes Ramës dhe krerëve institucional të Kosovës thuja se nuk ekzistojnë fare, ato janë vetëm në suaza të raporteve institucionale, dhe këto raporte janë ftohur deri në atë pikë sa kishim edhe bojkotim takimesh si ato kur Edi Rama ishte në vizitën e tij ballkanike e në Kosovë nuk u prit nga kryeministri”, u shpreh Ukaj për Enigmën.

Sipas tij, deklaratat e Ramës nuk përputhen me realitetin në Kosovë, dhe janë më shumë në rrjedhë me politikat e Beogradit.

“Deklaratat e kryeministrit Rama shpesh nuk përkojnë me realitetin në Kosovë, apo janë më shumë në sinkron me politikat e Beogradit, gjë që e kanë dëmtu dhe po vazhdojnë të dëmtojnë shtetin e Kosovës. Prandaj, zotri Rama, duhet të jetë në sinkron me politikat e shtetit të Kosovës e asesi të jap deklarata të pa matura siç ishin deri tani, si marja e veriut nga KFOR-i ose edhe veriu ka mbetë tokë e askujt”, përfundoi Ukaj.

Edhe analisti Shkëlzen Gashi për deklaratat e Ramës se “veriu, tokë e askujt”, tha se ai po i bën presion kryeministrit Kurti për ta pranuar Asociacionin.

“Mes Ramës dhe Kurtit është sepse Rama po i bën presion Kurtit me pranu Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është një kërkesë e Serbisë, e të cilën Bashkësia Ndërkombëtare po e mbështet. Ata si duket po i bëjnë presion edhe Ramës, dhe Rama po i bën Kurtit dhe Kurti nuk po pranon dhe mendoj që po bën mirë që s’po pranon”, deklaroi Gashi.

Kujtojm se në orët e hershme të së dielës më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën./GAZETAENIGMA/

Related Articles