Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se sistemi elektroenergjetik i vendit do të stabilizohet dhe se do të ulet kostoja e importit të energjisë. Kjo do të arrihet përmes projektit të ruajtjes së energjisë me bateri, një iniciativë që është hapur për implementim në Ferzaj dhe Istog.
Në një konferencë të organizuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjecarit (MCA Kosova), lidhur me procedurat e parakualifikimit për Dizajnimin dhe Ndërtimin e Sistemeve të Mëdha për Ruajtjen e Energjisë, Kurti theksoi rëndësinë e këtij projekti për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm me energji, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
Ai nënvizoi se qeveria është angazhuar jo vetëm për ndërtimin e kapaciteteve të reja, por edhe për ndryshimin e infrastrukturës që do të mbështesë këto kapacitete, transmeton Gazeta Enigma.
“Vitin që po fillojmë, është një vit i rëndësishëm për sektorin e energjisë. Kosova ka pasur vështirësi për dekada, por tani po bëjmë ndryshime që do të japin rezultate afatgjata,” tha kryeministri.
“Është mirë që vitin ta fillojmë me një sukses të këtillë për sektorin e energjisë. Për dekada të tëra Kosova është përballur me vështirësi, ne nuk kemi pasur nevojë vetëm për investime, por për një vizion që sjell rezultate që nuk mund të kthehen mbrapa. I kemi vënë vetës synime ambicioze, dhe kemi caktuar një vizion sa është i sodit edhe largpamës. Ne e kemi të qartë që ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk mjafton, ne po sigurohemi që të ndërrojmë infrastrukturën e duhur për t’i mbështetetur kapacitetet e reja. Po hapim zyrtarisht procesin e parakualifkimit për ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri të cilët të cilët do t’i vendosim në Ferzaj dhe Istog”, tha ai.
Përmes këtij projekti, do të ndërtohen sisteme të ruajtjes së energjisë me bateri me një kapacitet total prej 170 megavatësh. Kjo do të ndikojë direkt në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik, uljen e kostos së energjisë që importohet dhe rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit.
“125 megavat të këtij sistemi do të operojnë nën korporatën e energjisë dhe 45 megavat të tjera nën KOST-in që do të përdoren për balancim të rrjetit. Do të kenë ndikim të menjëhershëm dhe të drejtë për drejt. Së pari do ta stabilizojmë sistemin elektroenergjetik të vendit dhe do ta ulin koston e importi të energjisë, së dyti do të rrisin sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji si për amvisëri ashtu edhe për biznese dhe së treti do të hapim rrugën për integrimin e mëtejshëm të energjisë nga burimet e ripërtritshme si era, uji dhe dielli”, ka thënë Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila gjithashtu mori pjesë në ngjarje, tha se rezervat e energjisë që do të krijohen nga ky program do të kursenin më shumë se 15 milion euro në vit për sistemin elektroenergjetik të Kosovës.
Drejtori Vendor Rezident i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Rinor Gjonbalaj, theksoi se ky do të jetë sistemi i parë i tillë në rajon, që do të mundësojë integrimin e energjisë nga burime të ripërtritshme, duke kontribuar në stabilizimin e furnizimit dhe uljen e varësisë nga eksporti i energjisë.
Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më efikas për Kosovën./GazetaEnigma/