Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për propozimin e presidentit Donald Trump për të pranuar emigrantët e dëbuar nga SHBA-ja.
“Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes”.
“Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë, në një deklaratë për REL-in.
Ai shtoi se informacione të tjera do të jepen ndërkohë.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar se më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.