Ndonëse është raportuar se është pranuar manuali i propozuar nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë, për lejimin e dasmave deri në orën 23:00, një vendim i tillë ende nuk është zyrtarizuar nga Qeveria e Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.
I pyetur për këto vonesa, Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka thënë për Gazetën “Enigma”, se Qeveria është dashur të dal me vendim qysh nga 15 qershori, por që sipas tij vonesat lidhen me zhvillimet aktuale politike në vend.
“Qeveria është dashtë të pranoj zyrtarisht manualin e propozuar nga ne për lejimin e dasmave, por që nuk e ka bërë këtë gjë. Ne do të presim deri të martën, dhe nëse nuk njoftojnë për këtë, ne do të reagojmë publikisht”, tha ai duke shtuar se shpreson që ky zyrtarizim të ndodh deri të hënën.
Tutje ai ka njoftuar se ka qenë e rëndësishme që për lejimin e dasmave të pranohet manuali i propozuar nga ta.
Sogojeva thotë se rreth 30% e kapaciteteve të brendshme hoteliere do të mund të shfrytëzohen për organizimin e dasmave. “Mesatarisht rreth 200 dasmorë do të mund të futen në ambientet e brendshme të hotelit”, ka shtuar ai.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës nuk ka mbajtur mbledhje pas datës së 15 qershorit, prej kur ishte thënë se ky vendim do të zyrarizohet.
Për këtë çështje janë kontaktuar edhe Qeveria, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje./Gazeta Enigma/