“Qeveria kampione në shkeljen e Kushtetutës” – s’ndalet “lufta” e Kurtit me sistemin e drejtësisë

“Qeveria kampione në shkeljen e Kushtetutës” – s’ndalet “lufta” e Kurtit me sistemin e drejtësisë

Kryeministri Albin Kurti nuk e la pa thumbuar Prokurorinë Speciale të Kosovës, pas ftesës që këta të fundit ia bënë për të dëshmuar në një rast korruspisoni, shkruan Gazeta Enigma.

Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë, Kurti e quajti Prokuroria Speciale “një ndër veglat e fundit e opozitës”, dhe se të njëjtit po tentojnë që ta “sabotojnë” atë.

E sikur të jetë vetë gjykatësi që jep vendime, Kurti tha se “jemi ta pa korruptueshëm e të pa shantazhueshëm, në çdo kohë dhe situatë”.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale edhe sot (e premte), ka përcjellë një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, duke thënë se kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese, “duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim”.

“Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, ka thënë Kryeziu.

Kurti ka dështuar të realizoj reformat në drejtësi

Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) thotë se kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij do të mbahen mend si Qeveri e cila përkundër se ka pasur shumicën në Kuvendin e Kosovës, “ka dështuar të realizoj reformat në drejtësinë penale dhe civile”, premtime këto të fushatës së zgjedhjeve para katër vjetësh.

“Përderisa Qeveria Kurti ka dështuar plotësisht në realizimin e reformave e njëjta Qeveri dhe kryeministër është kampion i shkeljes së Kushtetutës së Kosovës dhe sulmeve të paprecedenta ndaj gjykatave të rregullta, Prokurorisë dhe Gjykatës Kushtetuese”, tha Miftaraj në një prononcim për Gazetën Enigma.

Miftaraj tha se është e pakuptimtë se si Kurti tash kërkon vota nga qytetarët për reforma në drejtësi, kur një gjë të tillë ka mund ta bëj tash e katër vjet.

“Kurti dhe LVV kërkojnë vota për çështje dhe reforma për të cilat janë votuar gjatë vitit 2021 dhe është e pakuptimtë së si e njëjta parti politike kërkon vota për të njëjtat fusha që ka dështuar për katër vite me radhë”, deklaroi Miftaraj.

“Padyshim se Kryeministri Kurti tanimë e ka të siguruar vendin në librat dhe praktikën e drejtësisë në Kosovë si kryeministri i cili ka ndërtuar praktikat dhe standardet më te këqija lidhur me shkeljen e parimeve të ndarjes se pushteteve përmes sulmeve ndaj sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjes publike të bashkëpartiakëve të tij në rastet kur kanë qenë të dyshuar për korrupsion”, deklaroi tutje Miftaraj.

Tendencë për t’i eliminuar dobësitë, mangësitë, dështimet

Njohësi i çështjeve ligjore, Anton Nrecaj, thotë për Gazetën Enigma se sulmet e Kurtit ndaj Sistemit Prokurorial dhe institucioneve të drejtësisë, nuk janë risi.

“Kjo deklaratë është një fushatë zgjedhore dhe një tendencë për t’i eliminuar ato dobësitë, mangësitë, dështimet të cilat i ka pasur kjo Qeveri, në raport me luftën kundër korrupsionit”, tha Nrecaj.

Ani se Kurti ende nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet ftesësë së Prokurorisë, Nrecaj beson se Kurti veç se e ka bërë një gjë të tillë.

“Kurti nuk mund t’i ikë drejtësisë. Madje unë dyshoj i ka ikur intervistës, sepse ka shumë gjasë që intervista veç se është bërë, mirëpo për shkak të mosndërhyrjes së sistemit të drejtësisë në procese paraelektorale zgjedhore, nuk është bërë publike”, potencoi Nrecaj.

Se a e ka luftuar Qeveria Kurti korrupsionin apo jo, Nrecaj tha se nëse i shohim raportet ndërkombëtare kredibile, siç janë raportet nga Komisioni Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, shohim një përmirësim sa i përket luftës së korrupsionit.

“Por nga ana tjetër, nuk ka ndonjë lëvizje serioze, ose ndonjë situatë ku zyrtarë të lartë të shtetit janë akuzuar për korrupsion, ose nuk kemi epilog gjyqësor ndaj një zyrtari të lartë për vepra korruptive”, u shpreh Nrecaj.

Përveç Kurtit, sulmet ndaj sistemit të drejtësisë nuk i ka evituar as ministrja e tij, pikërisht ajo e Drejtësië, Albulena Haxhiu.

Dyshja shpesh kanë akuzuar Prokurorinë dhe Gjykatën Kushtetuese për “rreshtim” me pushtetet e kaluara dhe “pengim” të reformave në sistemin e drejtësisë. /GAZETA ENIGMA

Kurti problem edhe me Gjykatën Kushtetuese

Sistemi prokurorial nuk është hallka e vetme e drejtësisë me të cilën kryeministri Kurti ka paknaqësi. Një ndër organet e drejtësisë i cili vazhdimisht sulmohet nga zyrtar qeveritar, përfshirë edhe Kurtin është Gjykata Kushtetuese.

Kjo u pasqyrua të mërkurën kur u bë pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Gjykatës Kushtetuese.

Zyrtarisht, Gresa Caka – Nimani, këtë përgjegjësi ia kaloi Nexhmi Rexhepit.

Me këtë rast, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, shprehu habinë se si asnjë zyrtar i lartë qeveritar s’ishte i pranishëm në ceremoninë zyrtare.

“Urime znj. Caka-Nimani për përfundimin e mandatit të saj dhe z. Rexhepi për zgjedhjen e tij si kryetar i ardhshëm i Gjykatës Kushtetuese. Jam dakord me Aivo: Roli i Gjykatës Kushtetuese në mbështetjen e sundimi të ligjit dhe demokracisë është i domosdoshëm. E habitshme që asnjë qeveritar i lartë nuk mori pjesë në seancën solemne të djeshme për të vlerësuar punën e Gjykatës”, shkroi ai në X. / GAZETA ENIGMA

Related Articles