“Qeveria Kurti dështimet në menaxhim të pandemisë është munduar ti mbuloj me sjelljen e një emri të madh të shëndetësisë”

“Qeveria Kurti dështimet në menaxhim të pandemisë është munduar ti mbuloj me sjelljen e një emri të madh të shëndetësisë”

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të mërkurën, ka raportuar për herë të dytë me radhë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pasi që pikat e diskutimit ishin të përgjithshme, atëherë edhe raportimi u bë gjithëpërfshirës.

Latifi duke raportuar në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi të mërkurën, tha se nuk do ta kishte pranuar pozitën e ministrit në rast se nuk do t’i premtohej mbështetje të madhe.

Latifi: S’kam punë këtu nëse shpërfillem nga Qeveria

“Nëse kisha menduar që kjo qeveri nuk e ka prioritet shëndetësinë, unë sot nuk do të isha këtu”, tha fillimisht Latifi.

Por, nëse nuk do t’i jepet prioritet shëndetësisë, Latifi tha se mund të japë dorëheqje.

“Nëse shpërfillem nga qeveria, unë nuk e kam asnjë biznes me ndejtë këtu. Por, unë nuk e kam këtë ndjenjë”, vijoi ministri i Shëndetësisë.

Lidhur me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe deputetin dhe anëtarin e Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se viti 2020 kemi degradim në sektorin e shëndetësisë.

“Nga viti 2020 të qeverisjes Kurti 1 dhe 15 muaj të qeverisjes Kurti 2 kemi degradim në sektorin e shëndetësisë”, ka deklaruar Haxhiu.

Tutje ai ka shtuar se “edhe ashtu sistemi ynë shëndetësorë nuk ka qenë për mburrje mirëpo por degradimi qe po ndodh është shqetësues”.

Sipas Haxhiut kjo Qeveri e ka përkeqësuar situatën në shëndetësi edhe më shumë.

“Po shihet që në shëndetësi nuk është prioritet për këtë Qeveri, situata në shëndetësi është përkeqësuar edhe me shumë”, tha Haxhiu.

Tutje ai numëron disa nga gjërat e pa realizuara nga Ministri Latifi.

“Lista e pritjes për operacione janë rritur shumë, ka mungesë të barnave nga lista esenciale, nuk ka rritje të pagave as përmirësim të kushteve të punës për profesionistët shëndetësorë”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas tij “ikja e profesionistëve shëndetësorë për shkak të zhgënjimit në Qeverinë  Kurti është shumë e  madhe dhe nëse nuk  ka veprime konkrete pasojat do të jenë të mëdha dhe afatgjate”.

Haxhiu: Asnjë ligj substancial për shëndetësinë nuk ka ardh për votim në Kuvend

“Asnjë ligj substancial për shëndetësinë nuk ka ardhur për votim në Kuvend dhe ky është një tjetër indikatorë se Shëndetësia nuk është prioritet i kësaj Qeveria”, tha ai.

“Qeveria Kurti dështimet në menaxhim të pandemisë COVID-19 dhe procesit të vaksinimit janë mundura t’i mbulojnë me sjelljen e një emri të madh të shëndetësisë nga Amerika me Prof Rifat Latifin i cili as nuk po mund të ambientohet në Ministrinë e Shëndetësisë ngase grupet e interesit brenda LVV-së e kanë hutuar dhe çorientuar”, ka theksuar Haxhiu. 

“Ministri Latifi deri tani ka pas vetëm fjalë, punë dhe veprime jo. Uroj te shërohet sa me shpejt ministri Latifi dhe të kthehet ne detyrat e tij”, ka përfunduar ai.

Sipas Ministrit së shpejti pritet të ndryshojë funksionimi i Qendrës Klinike Universitare (QKUK), e cila funksionon pa udhëheqësi që prej themelimit të saj.

Latifi tutje ka deklaruar se mund të largohet nga Qeveria e Kosovës në qoftë se ekzekutivi nuk i jep prioritet investimeve në sektorin e shëndetësisë.

“Dikasteri i shëndetësisë është injoruar tash e disa vite. Unë e kam shumë të paqartë se ne e kemi një qendër, QKUK-në, e cila jep shërbime terciare, dytësore e besa herë-herë edhe shërbime parësore, megjithatë ajo nuk ka udhëheqësi fare”, tha ai.

Gjithashtu ministri tha se sot ka vizituar dy klinika në QKUK ku është takuar me qytetarët që po marrin aty shërbime e të cilët i kanë thënë se nuk po kanë vend se ku të presin për të marrë shërbimet shëndetësore e as nuk ka pasur barna të mjaftueshme për trajtim.

“Po punojmë në drejtime të ndryshme. Po punojmë në shumë rrugë që do të shndërrojnë Kosovën. Sa i përket legjislacionit kemi 6 ligje dhe 7-8 udhëzime administrative. Po punojmë në përmirësimin e infrastrukturës në spitale, nëse arrijmë me i përmirësuar këto ne kemi bo një punë shumë të mirë. Sot kam qenë për herë të parë në Onkologji. Onkologjisë i mungon stafi teknik. Qytetarët më thanë o ministër qe tri ditë s’kemi pas barna e sot kanë ardhur, disa më thanë qe disa pacientë nuk kanë ardhur terapi për shkak se kanë dëgjuar që s’ka barna”, ka thënë Ministri.

Në mesin e shumë temave, Armend Zemaj theksin e vuri edhe te marrëdhëniet e ministrit Latifi me ata me të cilët ka punë çdo ditë.

Zemaj i tha paraardhësit të tij se jeni shpërfillur nga qeveria dhe nga menaxhmenti i ministrisë, ku përfshin sekretarin e përgjithshëm dhe stafin udhëheqës.

Mirëpo, ministri Latifi këtë e mohoi dhe bëri me dije se nëse shpërfillet nga qeveria nuk ka pse të qëndrojë më këtu.

Edhe Shemsedin Dreshaj në një përgjigje për Gazetën “Enigma” i dha disa konstatime në lidhje me raportimin e Ministirit Latifi në komisionin për Shëndetesi.

“Shtatë muaj që nga marrja e detyrës si ministër, as në sherbimin terciar dhe sekondar nuk ka asnjë zhvillim më të voglin pozitiv. Sot, pacientët bredhin prej zyrës në zyre, pa asnjë përkujdesje dhe përgjegjësi institucionale ndërsa mjekët dhe stafi shëndetësor punojnë me paga shumë të ulëta”, tha Dreshaj.

Tutje ai ka kërkuar nga ministri që të jetë më agresiv rreth Ligjit të Pagave, pasi që deri tani nuk kemi dëgjuar asnjëherë të flasë për këtë ligj.

“Ministri duhet ta dijë që çdo ditë, mjekët dhe stafi shëndetësorë po e lëshojnë Kosovën. Ekziston rreziku real që vendi ynë në të ardhmen e afërt të mbes pa staf të mjaftueshëm shëndetësor”, ka deklaruar Dreshaj.

Sipas tij “lista esenciale e paraqitur sot në dokumentin që e ofroi ministri është e pa saktë. Letra duron gjithçka por e vërteta është që sot klinicistët, QKUK-ja ku punoj unë nuk i ka medikamentet e nevojshme. Kjo është e verifikueshme fare lehtë”.

Dreshaj: Lista e pritjes për intervenime kirurgjikale është e gjatë dhe nuk ka veprime konkrete

Në lidhje me këtë çështje Dreshaj në këtë takim Ministrit Latifi iu drejtua me pyetjen kur don meja nis punës?

Ministrit i thashë: dështim në edukim, dështimin në menaxhim, dështim në sistem të pagesave dhe sigurimet shëndetësore dhe miqësisht e pyeta; ministër kur don me ja nis punës?”, ka përfunduar ai.

Pos kësaj, tema për të cilën u diskutua është për dyshimin e keqpërdorimeve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike.

I pari i Shëndetësisë tha se organet përkatëse do të merren me këtë çështje si dhe bëri me dije se do të ketë ndryshime serioze në Bordin e Fondit, ashtu sikurse që paralajmëroi pasoja për ata të cilët mund ta kenë keqpërdorë detyrën zyrtare.

Lidhur me këtë, kryetarja e komisionit, Fatmire Mullhaxha, tha se deputeti Mirsad Shkreta ka propozuar inicimin e një komisioni hetimor. /Gazeta Enigma/

Related Articles