Qeveria lanson sot fushatën për informim për liberalizim të vizave

Qeveria lanson sot fushatën për informim për liberalizim të vizave

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nga  sot ( e enjte) do të hapet fushata për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave.

Fushata do të lansohet në Sheshin “Skënderbeu“ me fillim nga ora 13:00, ku lansimin do ta bëjë Kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Aktiviteti i parë do mbahet në Prishtinë për të vijuar më tej në krejt Kosovën”, ka bërë të ditur dje Qeveria e Kosovës.

Ndryshe, nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

“Shkallët” deri te liberalizimi i vizave

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh. Një rrugë e cila ka nisur 12 vite më parë ende nuk ka përfunduar.

Deri më tash nga 13 “shkallë” sa janë për të arritur liberalizmin e vizave, Kosova ka arritur deri në të 4-tën.

1. Korrik 2018: Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën

2. Gusht 2018: Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën

3. Shtator 2018: Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe

4. Shtator 2019: Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq hapat që ende nuk ka arritur procesi për heqjen e vizave e që duhet të arrihen janë:

5. Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave

6. Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

7. Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

8. Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

9. Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

10. Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

11. Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

12. Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

13. Liberalizimi hyn në fuqi.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.

Related Articles