Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike me ç’rast janë miratuar masat e reja kundër COVID-19.
As pas kësaj mbledhje Qeveria vazhdon që të ndalojë veprimtarinë e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, duke siguruar që pjesëmarrësit të mbajnë distancë fizike prej 1 metër nga njëri-tjetri.
Ndërsa, shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00.
Njoftimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës, në formë elektronike sot ka mbajtur mbledhjen e 41-të të saj.
Në këtë mbledhje u miratua vendimi i ri për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 si dhe kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore në kategoritë e shpenzimeve të organizatave buxhetore për vitin 2021.
Në bazë të rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ministritë e linjës, palët e interesit dhe ekspertët përkatës u miratua vendimi i ri për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Masat për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë provuar si jetike për të kufizuar përhapjen e COVID-19. Sipas raporteve të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, situata epidemiologjike me COVID–19, në Kosovë është stabile, por rreziku mbetet sepse varianti Delta vazhdon të jetë dominues tek ne dhe se në vendet e tjera në rajon dhe botë ka përkeqësim të ndjeshëm të situatës epidemiologjike.
Në një situatë të tillë, duke ju referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK – së, Qeveria ka ndërmarrë masa të cilat për qëllim kryesor kanë ruajtjen e shëndetit publik si dhe parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme Qeveria ka shqyrtuar dhe aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore në kategorinë e shpenzimeve të organizatave buxhetore për vitin 2021.
Masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19
Informatat e plota i gjeni këtu: https://kryeministri.rks-gov.net/mbledhja-e-41-te-e-qeverise/?fbclid=IwAR2DJbQ6P6OuGcjAMMEEwwcRtnE_wqB0BT-vJI77nInENMS4-O4DJ8L4lu0