Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtës ka marrë vendim që të ndajë 6,8 milionë euro për furnizimin me barna nga lista esenciale.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha gjatë mbledhjes se mjetet nga pika 1 e këtij vendimi ndahen nga programi i rimëkëmbjes ekonomike.
“Ndahen mjete financiare 6,8 milionë euro në Ministria e Shëndetësisë në nënprogramin shërbime përkatëse farmaceutike. Mjetet nga pika 1 e këtij vendimi, ndahen nga programi i rimëkëmbjes ekonomike që të furnizohet sigurimi me barna esenciale nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Murati.
Gjate kësaj mbledhje Qeveria ka miratuar edhe Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitet 2022-2024.
Ministri Hekuran Murati tha se kanë bërë më të mirën e mundshme për këtë dokument.
Ai tha dokumente parasheh ndihmë për shëndetësi, ekonomi e çështje sociale.
“Synimet janë mposhtja dhe përballjen me pandeminë si dhe rimëkëmbjen ekonomike”, tha Murati.
Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-rregulloren për përcaktimin e procedurës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit.
Ministrja Albulena Haxhiu në adresimin para kabinetit qeveritar ka thënë se kjo rregullore ka 19 nene në 4 kapituj dhe “mbron sinjalizuesit, trajtimin e rasteve të tyre e të tjera”.
“Siç jeni në dije Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka hyrë në fuqi në vitin 2018 dhe i njëjti ka paraparë se brenda gjashtë muajsh të nxjerrët edhe rregullorja për mbrojtjen e sinjalizuesve, pra për mbrojtjen e zyrtarëve që raportojnë shkeljet që ndodhin brenda institucioneve. Miratimi i saj është vonuar për dy vite. Rregullorja përmban 19 nene, ku rregullon të drejtat e sinjalizuesve”, tha Haxhiu.