Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milion euro për subvencionimin e pagave dhe të qirasë për ato biznese të cilat ishin prekur nga vendimi i Qeverisë e cila në muajin prill kishte vendosur për mbylljen e një pjesë të bizneseve si masë e cila kishte për qëllim luftën ndaj virusit COVID-19. Këtu është përfshirë edhe sektori i gastronomisë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se subvencionimi do të bëhet deri në 50 përqind.
“Ndahen 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve që janë prekur nga disa prej masave të vendosura nga Qeveria për periudhën 7 prill deri 18 prill. Subvencionimi i pagave dhe qirave bëhet deri në 50 për qind. Në vendim janë të detajuara llojet e bizneseve”, ka thënë Murati.
Sipas tij, subvencionimi do të bëhet në bazë të aplikimit të dorëzuar nga bizneset ku janë të vendosura kufizimet dhe kriteret për të përfituar nga ky subvencionim.
“Detaizimi i kritereve për të fituar nga këto masa do të bëhet me një vendim të veçantë të Ministrisë”, ka thënë ministri Murati.