Qeveria pas takimit me Jasharajn dhe Flocken: Shtesa prej 50 eurove tejkalon shkallën e inflacionit në vend

Qeveria pas takimit me Jasharajn dhe Flocken: Shtesa prej 50 eurove tejkalon shkallën e inflacionit në vend

ryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Drejtoreshën Evropiane të Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim (ETUCE), Susan Flocken, së bashku me përfaqësuesit e Këshillit Grevist, me të cilën ka biseduar lidhur me grevën në arsim.

Në njoftimin e Kryeministrisë nga ky takim thuhet se Kurti ka potencuar rëndësinë e mësimdhënësve për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve, marrë parasysh angazhimin e tyre pedagogjik, emocional dhe psikologjik gjatë dhe pas orarit të punës.

“Nisur nga kjo e në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për mësimdhënësit, Kryeministri Kurti e informoi znj.Flocken se Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për arsim sivjet për 12%. Po ashtu e njoftoi për Pakon për Përballjen me Inflacionin, në vlerë prej 150 milionë euro, e cila ofron mbështetje financiare per punëtorët e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, nëpërmjet shtesës prej 50 euro, minimalisht për të gjithë muajt e mbetur të vitit. Një rritje e këtillë tejkalon shkallën e inflacionit në vend”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u theksua se Qeveria ka proceduar projektligjin për Paga në Sektorin Publik, që ka qenë kërkesë qendrore e kahmotshme sindikale, ndërsa është trajtuar që nga fillimi me prioritet nga Qeveria. Projektligji për Pagat në Sektorin Publik tashmë është në dëgjim publik.

“Nga Qeveria u ritheksua domosdoshmëria që sindikatat të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për ligjin për pagat, ligj ky i cili ka për qëllim të sigurojë barazi dhe trajtim të dinjitetshëm të sektorit publik në vend”.

“Në Projektligjin e ri për paga, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë, ndërsa mësimdhënësit do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë”, u tha në takim.

Related Articles