Qeveria e Kosovës ka reaguar disa ditë pasi minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në grevë, për shkak të mos ekzekutimit të pagave, raporton Gazeta Enigma.
Nga ekzekutivi janë zotuar për angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për çështjen e “Trepçës”, por ka theksuar se përkrahja financiare varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do rifillojë rritja e prodhimit.
“Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit… Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”, theksohet në deklaratën e Qeverisë.
Qeveria është deklaruar se pret që ndërmarrja dhe udhëheqja e saj të marrë masa që rrisin kontrollin e brendshëm operativ e financiar, si dhe reforma rrënjësore që transformojnë afarizmin e tyre. Ka shtuar se mbështetje i ka dhënë “Trepçës” gjatë gjysmës së parë të këtij viti, por se ajo “ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme”.
“Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin. Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes”, thuhet në reagim.
Qeveria ka treguar edhe pritjet që ka tani nga Bordi dhe menaxhmenti nga të cilët është kërkuar plan veprimi.
“Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes. Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet më tej.