Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me vendimin për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, duke theksuar se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është bërë vetëm në funksion të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Manxhuka thotë se ajo që ka “ngatërruar” ministri Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitën e Patriarkut Porfirije në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, duke thënë se kjo çështje nuk lidhet me vendimin për zbatimin e aktgjykimit për tokën e Manastirit të Deçanit.
“Zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është bërë vetëm në kuadër të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër”, ka theksuar Maxhuka.
Ai ka shtuar se në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me një votim të fuqishëm prej 82% rekomandoi Komitetin e Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e plotë e organizatës, duke konfirmuar se të gjitha parakushtet për anëtarësim ishin plotësuar.
Reagimi i tij:
Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, vendosjes si kusht nga Këshilli i Evropës, përgjatë procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në vitin 2024 është sqaruar qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për media pas saj, në kohën kur ishte marrë ai vendim.
Në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me një votim të fuqishëm prej 82%, me ç’rast 131 ishin në favor dhe 29 kundër, i rekomandoi Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e plotë e organizatës.
Zbatimin e aktgjykimit, tashmë të marrë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë vetëm në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër.
Siç dihet, pas vendimit, në mars të vitit 2024, raportuesja Dora Bakoyannis shpërndau raportin e saj, ku konfirmoi që Kosova, pas zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit, ka plotësuar të gjitha parakushtet për anëtarësim dhe duhet të ftohet të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, pa parakushte shtesë.
Që nga dita e parë në Kurti 2 në mars 2021, nga ambasadorët e Quint-it por edhe nga ministri Rashiq është kërkuar zbatimi i aktgjykimit të GjK, por kjo ka ndodhur vetëm në kuadër të bisedimeve me raportuesen e Këshillit të Evropës, Bakoyannis, tre vjet më vonë, në mars 2024.
Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë.
