Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në dokumente dhe targat ilegale nuk do të diskutohen në takimin e 18 gushtit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Nga ekzekutivi thonë se vendimet janë të institucioneve të Kosovës dhe të parapara edhe në marrëveshjet e kaluara të Brukselit, andaj nuk mund të jetë temë e diskutimit.
Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk tregon se cila do të jetë agjenda e takimit, derisa thotë se nuk do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve, para atij të nivelit të lartë.
“Për agjendën e takimit do t’ju njoftojmë me kohë. Vendimet për targa dhe dokumente për hyrje-dalje janë vendime të qeverisë, që janë të parapara edhe në marrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën, andaj ato nuk mund të jenë temë diskutimi e këtij takimi”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Detaje për takimin e 18 gushtit nuk jep as zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga përfaqësuesi i lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak për të diskutuar rrugën përpara në dialogun Beograd-Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thekson ai.
Këtë takim e shohin me skepticizëm njohësit e procesit të dialogut.
Analisti politik, Artan Muhaxheri thotë se zhvillimet në veri të Kosovës kanë ndryshuar dinamikën e dialogut.
“Zhvillimet në Mitrovicën e Veriut kanë ndryshuar dinamikat e dialogut. Natyrisht nuk pritet që i njëjti të vazhdojë ashtu siç ishte para atyre ngjarjeve. Për këtë arsye, presioni i madh ndërkombëtar pritet të intensifikohet edhe më shumë, pasi kjo është mënyra e vetme që palët të kenë vullnet më të madh dhe mundësi për të arritur një zgjidhje. Zgjidhja natyrisht do të jetë kreative, pasi Serbia nuk mund të pranojë bllanko vendimin e Kosovës, s’i ka pranuar as vendimet e kaluara”, thotë ai.
Megjithatë, ai shton se Serbia mund edhe të tërhiqet nga refuzimi kategorik i dy vendimeve të Kosovës për reciprocitet dhe targa ilegale.
Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel po mbahet pas më shumë se një viti, derisa kanë mbajtur një takim joformal muaj më parë në Berlin./KP