“Qeverisë s’i intereson a fiton Kosova – ata po bëjnë politikë”

“Qeverisë s’i intereson a fiton Kosova – ata po bëjnë politikë”

Sipas informacioneve të fundit që ka deklaruar zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që dy ndeshjet e ardhshme që Kosova i luan si vendëse, do të zhvillohen me prezencën e vetëm 10 për qind të tifozëve, apo thënë ndryshe 1 mijë e 300 tifozë.

Ndeshjet luhen në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, “Katar 2022”.

Kosova të dielën pret Greqinë, kurse tri ditë më vonë Spanjën.

Vendimi i qeverisë e ka irrituar, Lulzim Berishën, kryetarin e tifo grupit “Dardanët”.

Ai, në një bisedë me Albanian Post, ka shprehur haptas pakënaqësinë e tij dhe të gjithë tifozëve, ndaj krerëve të Institucioneve të Kosovës.

“Më duket se janë shukë si ministra, andaj po donë me bo ‘kishe far pune mediatike’ që me iu dalë përpara hundëve mediave. Ajo zëvendësministrja ka dalë me një deklaratë, por nuk pe di mbi çfarë të drejte jep ajo deklaratë dhe jep informacion zyrtar se qysh kanë me u shpërnda biletat”, ka deklaruar Lulzim Berisha.

“Por po presim në ora 16:00 e kemi një takim dhe ta shohim se çka kanë me thanë apo çka kanë me na prezantu ata neve, sepse stadiumin e hap federata, ndërsa organizimin ne Dardanët, e jo Ministria e Kulturës”, shtoi ai.

Në mesin e këtyre tifozëve të pranishëm në “Fadil Vokrri”, pritet që një pjesë e tribunave, të jetë e rezervuar për institucionet e shtetit, me çka Berisha edhe këtu shpreh pakënaqësinë e tij.

“­­­­­­­­­Në bazë këta qysh e kanë dhanë atë farë vlerësimi, tribuna perëndimore është e gjitha e rezervuar për institucione. Këta Vetëvendosja po dojnë me marrë njëfarë ‘bajraku’ për vete, nuk e di pse.”

“Më shumë i kanë dhënë kahje politike, sesa me fituar Kosova. Së pari anëtaret e tyre as nuk e përkrahin Kosovën, e ki rastin e Egzon Azemi, i cili poston vetëm forca Shqipëria”, tha Berisha.

Tutje gjatë bisedës, Berisha tha se do të jetë një takim me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, ku do të diskutojnë edhe njëherë për këtë vendim, por sipas tij gjasat janë minimale për ndonjë ndryshim të mundshëm.

“Në shumë shtete të zhvilluara, lejohet prania e tifozëve nëse kanë marrë dy dozat e vaksinës. Në Kosovë janë rreth 300 mijë qytetarë të vaksinuar me dozën e dytë.”

“Me të vërtetë nuk pe di ku po donë me dalë këta më këto gjëra, por në takim do t’ua them të gjitha në fytyrë dhe të shohim nëse do të ndryshojë diçka por gjasat janë zero, sepse s’po dinë as çka më bë”, përfundoi ai.

Kujtojmë që Kosova vjen në këto dy ndeshje pas fitores së madhe në udhëtim te Gjeorgjia.

Related Articles