Qipro nuk ndërron qëndrim karshi pavarësisë së Kosovës, ka thënë ministri qipriot i mbrojtjes, Michalis Giorgalla, në një takim me ministrin serb të mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.
Mes tjerash, zyrtari i lartë shtetëror i Qipros fajëson qeverinë kosovare për ngjarjet e kohëve të fundit në pjesën veriore të vendit, për çka thotë se “po i vëzhgojmë me vëmendje”.
“Po i vëzhgojmë me vëmendje zhvillimet e fundit në Kosovë. Përleshjet e fundit mes poliicsë dhe serbëve etnikë në ato zona, të cilat u provokuan nga Prishtina me përpjekjet e tyre për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale, janë burim për shqetësim të thellë”, ka tënë ai.
Qiproja, mes tjerash, bën thirrje për shtensionim dhe vazhdim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Dhe, më lejoni të theksoj, se Qipro qëndron në pozicionin e saj parimor të mosnjohjes së shpalljes së njëanshme të pavarësisë të Kosovës”, thotë mes tjerash ai, siç e citoi në një postim në rrjetin e tij në Instagram, ministri serb i mbrojtjes.
Qiproja kishte dhënë shenja “zbutjeje”
“Jemi konsistentë dhe parimorë në mosnjohjen e Kosovës”, pati thënë muaj më parë ambasadori në largim i Qipros në Beograd, Dimitros Teofilaktu në një intervistë dhënë për “Politika”-n e Beogradit.
Diplomati qipriot thirrej në leximin e tij të së drejtës ndërkombëtare pavarësisht asaj se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010 – si instanca më e lartë e interpretimit të së drejtës – pavarësinë e Kosovës e ka vlerësuar si plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Megjithatë, ai lë të hapur mundësinë e përmirësimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve kosovaro-qipriote.
“Qiproja respekton integritetin territorial të Serbisë, njëjtë siç respekton edhe integritetin territorial të të gjitha gvendeve. Pozicioni ynë në mosnjohjen e Kosovës është parimor dhe konsistent, dhe atë jo vetëm sepse edhe ne kemi problem të njëjtë. Në mënyrë që të jemi kredibilë, duhet të jemi të udhëzuar nga qëndrime konsistente dhe parimore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, pati thënë ambasadori qipriot.
Marrëdhëniet serbo-qipriote ambasadori i vlerëson si të shumështresshme dhe tradicionalisht të forta. “Sa i përket ngjarjeve aktuale ndërmjet Qipros dhe Kosovës, neve na duhet të mbështesim njëri tjetrin përzemërisht, derisa hapim zona të reja për përmirësim të mëtejmë të marrëdhënieve”, ka thënë ai,
Në përputhje me politikat e unionit evropian, Qiproja e mbështet dialogun Kosovë-Serbi, tha ai, por se vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e të gjitha dispozitave në lidhje me Asociacionin e Komunave (të banuara me shumicë) Serbe, sepse “ato janë politikat kyçe të Beogradit në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit”.
Ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, kohëve të fundit ka pretenduar se ka marrë “siguri të mëdha” nga bashkëbiseduesit e tij qipriot, se po qe se edhe katër vendet tjera të unionit do të ndërronin qëndrim karshi mëvetësisë së shtetit të Kosovës, Qiproja nuk do ta bënte këtë. Megjithatë, një absolutizëm i tillë, nuk është thënë nga ndonjë zyrtar i Qipros.