Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, deklaroi se projekt-rezoluta e propozuar nga partia e tij (LDK) për të dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe vendimet e qeverisë pas sulmit të Rusisë në Ukrainë janë në të njëjtën frymë.
Megjithatë, ai thotë se nuk e di nëse kjo është thjesht një rastësi në qëndrim apo një dakordim mes ekzekutivit dhe kësaj partie opozitare.
“Në momentin kur është kryer sulmi i forcave ruse në territorin e Ukrainës ky shqetësim është trajtuar brenda kryesisë dhe strukturës, dhe si rezultat i këtyre analizave nga zyrat tona dhe nga kryetari Lumir Abdixhiku është propozuar një rezolutë e cila besojmë se nesër do të trajtohet në parlament. E mira e kësaj, kur flasim për unitetin, është që edhe vendimi i qeverisë për të ndërmarrë masa për të ngritur kapacitete dhe të tjera është në frymën e kësaj rezolute. A ka qenë ndonjë marrëveshje apo është koincidencë nuk e di, por me rëndësi është që të gjithë jemi të një mendimi që t’i ndërmarrim të gjitha masat dhe veprimet për t’i ngritur kapacitetet e segmenteve të ndryshme të sigurisë në nivelin e duhur. Krahas kësaj në rezolutë po ashtu, besoj që do të jetë pajtueshmëria e të gjitha partive politike, do të jetë edhe kërkesa që autoritetet shtetërore të kenë angazhim shtesë më të fuqishëm për kërkesën për të qenë anëtar të NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Quni në Klan Kosova.
Quni beson se me luftën që po ndodh në Ukrainë dhe rrezikun që situata të tensionohet edhe në Ballkan është krijuar një momentum kur kërkesa e Kosovës për të qenë pjesë e Aleancës Veriatlantike mund të trajtohet më me vëmendje.
“Unë besoj që në këtë situatën e re çdo komb dhe shtet po rishikon politikat e sigurisë. Jo vetëm veç e veç, por edhe brenda organizatave siç është NATO. Ndoshta dëshira jonë që është shprehur kaherë dhe nuk ka pasë ndonjë gatishmëri për t’u trajtuar tani jemi në një ambient tjetër dhe jam më se i sigurt që kërkesa jonë do të ketë vëmendje më të veçantë pasi rreziku që është shfaqur në Ukrainë për shkak lidhshmërisë historike tradicionale dhe përkrahjeve reciproke që i kanë pasë Rusia dhe Serbia në situata të ndryshme, ai rrezik mund të bartet në Ballkan që është sensitiv për shkak të disa çështjeve të patrajtuara me ndonjë epilog i cili do të garantonte paqen dhe sigurinë në rajon. E kemi çështjen e Kosovës e cila do të duhej të dialogonte me Serbinë për epilogun përfundimtar që është njohja reciproke dhe e kemi çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës ku shumë e më shumë po ngritën zërat e nacionalistëve serbë për riformatizimin e këtij shteti”.
“Jam më se i bindur që me gjuhën e fakteve dhe argumenteve, pasi kjo çështje adresohet tek autoritetet ku merren parasysh argumentet, do të jetë edhe në benefitin e autoriteteve të NATO-s dhe BE-së që të ndërmerren masat adekuate që kjo krizë të mos përhapet edhe në rajonin tonë”.
Quni ka thënë se Kosova duhet të kërkojë lobim të fuqishëm të ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe shteteve tjera mike që të bindin shtetet mosnjohëse që janë anëtare të NATO-s që do të jetë edhe në benefitin e tyre që Kosova të bëhet pjesë e aleancës sa më shpejt.