Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje dorasit të vrasjes makabre në Gllogjan të dorëzohet në Polici.
Sveçla po ashtu tha se kushdo që e ndihmon autorin e krimit, bëhet bashkëkryes i veprës.
“Të gjithë bashkërisht jemi të tronditur për vrasjen makabre që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, me ç’rast mbetën të vdekur tre qytetarë tanë. Jam i vetëdijshëm për ankthin që e përjetoni të gjithë, e veçanërisht familjet e viktimave, që presin me padurim kapjen e vrasësit dhe vendosjen e drejtësisë. Si në konferencë për media, ashtu edhe këtu, i bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet. Nëse ka pasur bashkëpunëtorë, u bëj thirrje po ashtu të lajmërojnë e të dorëzohen në Polici. Në të kundërtën, kushdo që ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës”, shkroi Sveçla në Facebook.
Ai kërkoi nga qytetarët që nëse kanë ndonjë informatë lidhje me rastin të bashkëpunojnë me institucionet relevante, që të zbardhin rastin sa më shpejt.
“Qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, iu lutem të bashkëpunojnë me institucionet relevante, të cilat, nga mbrëmë, janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve. Jemi të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar”.
Në tragjedinë e së premtes në Gllogjan të Deçanit mbetën të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.
Postimi i plotë: