Qytetarët pro propozimit për tërheqjen e Trustit

Qytetarët pro propozimit për tërheqjen e Trustit

Pas shumë diskutime për ‘krizën’ ekonomike në Kosovë, u propozua edhe një herë për Qeverinë që t’u mundësojë qytetarëve edhe një tërheqje nga Fondi Pensional prej 20 për qind, gjë e cila do ta zbuste sadopak situatën e vështirë financiare aktuale nëpër të cilën po kalon Kosova.

Përveç kësaj njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë kanë cilësuar se një gjë e tillë do të ndikonte edhe në rritjen e konsumit dhe ngjalljen e aktivitetit ekonomik te bizneset, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, pandemia e COVID-19 ka ndikuar në uljen e aktivitetit ekonomik dhe në rritjen e krizës ekonomike dhe financiare.

Njohës i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj

“Meqë kjo qeveri nuk po ka asnjë zgjidhje dhe as nuk po i përkrah përmes buxhetit, së paku duhet t’ia lejojë qytetarëve që t’i tërheqin kursimet e tyre…T’ua japë një mundësi që të rritet fuqia financiare. Fuqia financiare ndikon në rritjen e konsumit që do të kishte ngjallë edhe aktivitetin ekonomik te bizneset, por edhe do të kishte fuqizuar portofolin e çdo qytetari”, ka deklaruar Kadrijaj.

Tutje ai ka shtuar se kjo përqindje do ta lehtësonte sado pak jetë ekonomike për të gjithë qytetarët.

“Është shumë e mirëseardhur për qytetarët tërheqja e 20 % të Trustit për faktin se do ta lehtësonte jetën ekonomike të tyre. Po ashtu do të ndikonte në fuqizimin e konsumit, rrjedhimisht do të ndihmonte edhe vetë biznesin”, ka theksuar Kadriaj.

“Pas gjithë atyre rritjeve të çmimeve në të gjitha fushat, Qeveria duhet ti jap një dorë qytetarit”

Merita Hasani, qytetare nga Ferizaj në një prononcim për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se janë në pritje të kësaj gjëje që nga momenti i parë kur u përfol një gjë e tillë.

“Çmimet e të gjitha produkteve po thuajse janë të rritura, tani ka ardhur që kjo Qeveri ti japi dorën qytetarit dhe ti japi një shtytje të eci para pas gjithë këtyre rritjeve që kanë ndodhur deri më tani”, ka thënë Hasani.

Edhe Ardita Emini qytetare nga Gjilani ka thënë se ndarja e një përqindje të trustit sa do e vogël të jetë do të ishte një ndihmë për të gjithë.

“S’ka rëndësi përqindja sa do të ishte, çka është me rëndësi që kjo gjë të realizohet, duke pasur parasysh se shumë familjeve do të hynte në punë një ndihmë sa do e vogël të ishte”, ka thënë Emini për Enigmën.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë se me kërkesë të shumë qytetarëve ri-propozoj: Tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30%.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu

“Pas shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor është mëse e nevojshme që Qeveria ta sjell në votim propozimin tim për tërheqjen e Trustit Pensional deri në 30%”, ka thënë Haxhiu.

Tutje Haxhiu ka propozuar një ide të tijën se si do të ndikonte kjo gjë në rimëkëmbjen ekonomike, e cila do të ishte edhe një mbështetje për qytetarin.

Propozim-amandamenti im do të ndikojë në rimëkëmbje ekonomike dhe mbështetje për qytetarët :

1. Personat që kanë kursime pensionale në shumën më pak se 10.000 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në tridhjetë për qind (30%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

2. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 10.000 Euro deri në 19. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetepesë për qind (25%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

3. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 20.000 Euro deri në 29. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetë përqind (20 %) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

4. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 30.000 Euro deri në 39. 999 Euro, kanë drejtë t’i tërheqin deri në pesëmbdhjetë përqind (15%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

5. Personat qe kanë kursime pensionale me shumë se 40.000 Euro (dyzet mijë), kanë drejtë t’i tërheqin deri në dhjetë përqind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

“Me këtë propozim qytetarët që kanë të ardhura më të ulëta do të mbështeten me shumë, ata që kanë me pak mjete në Trust t’u lejohet të tërheqin me shumë mjete me qëllim që ta përballojnë më lehtë situatën aktuale për shkak të krizës ekonomike dhe rritjes enorme të çmimeve në të gjithë sektorët pa dallim”, ka përfunduar Haxhiu.

Kujtojmë se me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, qytetarëve iu ishte mundësuar të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti. Për katër muaj sa zgjati aplikimi, 427 371 veta tërhoqën mbi 197 milionë euro. Rreth 120 milionë euro prej tyre do të rimbursohen në 5 vitet e ardhshme, për personat që tërhoqën më pak se 1 mijë euro (kishin nën 10 mijë euro kursime)./Gazeta Enigma/

Related Articles