R.D. dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri

R.D. dyshohet se mori pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri

Policia e Kosovës ka arrestuar të premten një person të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, i cili akuzohet se mori pjesë në masakrën e 22 majit 1999 në Vushtrri, ku u vranë 71 civilë shqiptarë.

Sipas njoftimit në raportin 24-orësh, Policia më 12 shtator ndaloi të dyshuarin, shtetas kosovar, i cili gjatë luftës së viteve 1998-1999 dyshohet se ka vepruar në grup dhe në mënyrë të organizuar si pjesëtar i mobilizuar në njësi të MUP-it serb.

Hetimet e deritanishme tregojnë se ai ka marrë pjesë drejtpërdrejt në privimin nga jeta të 71 civilëve shqiptarë në komunën e Vushtrrisë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Prokuroria Speciale e identifikoi të arrestuarin me inicialet R.D., por nuk dha hollësi të tjera për këtë rast.

“R.D. është ndaluar nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë”, tha Prokuroria Speciale.

Ky institucion shtoi se së bashku me Policinë e Kosovës po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast.

Related Articles