Goran Rakiq, në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim (pozitë të cilën nuk e ushtron aktualisht) është dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 3 muaj burgim me kusht dhe gjobë prej 1 mijë eurosh për mosdeklarim të pasurisë.
Rakiq ka arritur Marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Prishtinës, dhe dënimi i rekomanduar në marrëveshje ishte ai që iu shqiptua nga Gjykata, më 19.06.2024.
Ai akuzohet së në formularin e dorëzuar të deklarimit të pasurisë për vitin 2020, nuk kishte paraqitur saktë të dhënat, duke mos deklaruar të ardhurat si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe në Ndërmarrjen Publike në Mitrovicë.
Sipas Prokurorit Ali Ajdini, Marrëveshja është bërë pas intervistimit të të pandehurit në zyren e prokurorit.
Avokati Asdren Hoxha i cili mbron të akuzuarin tha se kjo marrëveshje është bërë duke u nisur nga arsyeja e ekonomizimit të procedurës, gjetjes së të vertetës reale dhe në interes të drejtësisë. Kurse, i akuzuari është njoftuar me benefitet dhe pasojat e marrëveshjes të pranimit të fajësisë.
Në seancën e shqyrtimit të marrëveshjes prezent kishte edhe përfaqësues të Agjencisë kundër Korrupsion, Gani Nikçi i cili e mbështeti marrëveshjen e arritur mes prokurorit dhe të pandehurit.
Gjyqtarja e rastit Naime Kraniqi e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë duke thënë se e njëjta nuk ka asnjë të metë faktike e juridike.