Kryeministri shqiptar Edi Rama ka komentuar darkën e mbrëmshme në Shkup që u zhvillua në kuadër të samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, e ku ishin prezent edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Rama u shpreh se ndodhej për herë të parë në një darkë ku të pranishëm ishin Vuçiqi dhe Kurti duke theksuar se ishte një takim pozitiv.
Ai gjithashtu theksoi se në atë takim, u zhvillua një komunikim pozitiv mes të gjithë palëve.
“Është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me Albinin dhe Presidentin Vuçiq dhe u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Dhe më rezulton që ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe financiar flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite, pasi ne duhet të integrohemi vetë brenda për brenda. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë duke u marrë me terminologji. BE e ka bërë të qartë që kush do të bëhet shkak do të penalizojë vetveten. Në vend të merremi me përmbajtjen duhet të merremi me punë konkrete”, tha ai, raporton Abcnews.al.
Në Maqedoninë e Veriut u mbajt takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.