Të hënën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një vizite në Kosovë, i doli në krah Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në veri, raporton Gazeta “Enigma.
Madje pas një takimi të mbyllur për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët, ai i quajti ‘manovra teatrale ushtarake’, veprimet e Serbisë në veri të vendit.
Disa herë gjatë fjalimit të tij ai e ripërsëriti faktin se Kosova është shtet sovran, që duhet të pranohet nga Serbia.
“Është vërtetë për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të dialogut, dhe njohjes reciproke dhe çlirimit përfundimtar nga e shkuara, sot jemi dëshmitar të manovrave teatrale të Serbisë në kufirin e shtetit sovran të Kosovës. Ato nuk mbrojnë qytetarët serb në veriun e Kosovës, sikurse pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar”, tha Rama në konferencë.
Po ashtu ai tha se Shqipëria do të angazhohet që Kosova të njihet si shtet sovran ndërkombëtarisht.
“Një nga përpirësit e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë pikërisht nxitja e njohjes nga të gjithë, e realitet të pakthyeshëm të Kosovës. Nuk ka asnjë diskutim që në radhë të parë mbi të gjitha Serbia duhet ta njoh këtë realitet të pakthyeshëm”, tha tutje ai.
Fjalën e pari i mori, kryeministri Kurti i cili theksoi se dy qeveritë o të angazhohen për të thelluar bashkëpunimin në të ardhmen. “Ne u zotuam se e shohim si tejet të rëndësishëm koordinimin dhe sinkronizimin gjithandej. Mandatet e dy qeverive tona i kemi marr në një kohë përplot sfida, përballe më pandeminë COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike dhe zhvillimi ekonomik janë disa prej sfidave për të cilat do të angazhohemi së bashku”, theksoi Kurti.
“Dy qeveritë tona kanë mundësi e potencial për të realizuar projektet të cilat tash e një kohë të gjatë priten nga qytetarët e dyja vendeve. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik, në mënyrë që mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Nëse ka vende që kjo duhet të bëhet e mund të bëhet sa më shpejtë është Kosova dhe Shqipëria”, tha tutje ai./Gazeta Enigma.