Ramadani para takimit ndaj Drenicës: Do të mundohemi që të kthehemi të pamposhtur prej Skenderajt

Ramadani para takimit ndaj Drenicës: Do të mundohemi që të kthehemi të pamposhtur prej Skenderajt

Skuadra e Gjilanit nuk e ka nisur mirë sezonin pranveror në Superligën e Kosovës në futboll, duke barazuar në dy ndeshjet e para si vendas ndaj Ferizajt dhe Malishevës.

Pas dy rezultateve jo të dëshiruar për skuadrën e drejtuar nga Zekirija Ramdani, Gjilani të mërkurën e pret një ndeshje tjetër e vështirë, ajo ndaj Drenicës, skuadër që i ka humbur dy ndeshjet e fundit dhe pozicionohet në vendin e parafundit.

SC Gjilani konsiderohet favorit sa i përket rënditjes tabelare, pasi pozicionohet në vendin e tretë, kurse Drenica në vendin e 9-të, pozitë që e dërgon në Ligën e Parë.

Trajneri i SC Gjilanit, Zekirija Ramadani në një bisedë për Gazetën Enigma ka thënë se takimi ndaj Drenicës do të jetë më i vështirë se ndaj dy takimeve të para.

Gjilanit në këtë takim do t’i mungojnë katër lojtarë për shkak të kartonëve, kapiteni Besar Musolli, mesfushori Albert Dabiqaj, mesfushori tjetër, Arbnor Ramadani dhe sulmuesi Solomon.

Takimi përballë Drenicës do të jetë edhe më i vështirë se këto dy takimet e para. Arsyeja e parë është që ne kemi katër mungesa të rëndësishme. Tjetra, Drenica kthehet në Skenderaj që do të jetë një fushë shumë e vështirë”, tregon për Gazetën Enigma, trajneri Ramadani.

Ramadani thotë se ndaj Drenicës duhet që të mbrohen mirë dhe t’i sulmojnë pikat e dobëta të skuadrës së drejtuar nga Bekim Shotani.

Po me aq kohë që kishim jemi munduar të bëjmë analizën e Drenicës përballë Ballkanit, dhe duhet të mbrohemi mirë dhe të sulmojmë në pikat e dobëta të Drenicës”, vlerëson Ramadani.

Trajneri Shotani për Gazetën Enigma e ka vlerësuar Gjilanin si ekip evropian, gjë e cila i pëlqen homologut të tij Zekirija Ramadani. Trajneri shkupjan insiston se do të tentojnë që të kthehen në Gjilan të pamposhtur.

E falënderoj trajnerin për komplimentet që i ka dhënë për ekipin tonë. Kur kërkon me ngulm fitore është sikur një thikë me dy teha, kështu që presioni është tek ata ne do të mundohemi që të kthehemi të pamposhtur prej Skenderajt”, thotë ai.

LEXO EDHE: Trajneri i Drenicës para takimit ndaj Gjilanit: Përveç fitores, çdo rezultat tjetër do të ishte fatal për neve

Kujtojmë që takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave ka qenë më 20 tetor 2022, ku fitoi Drenica me rezultat 0-2 në Gjilan.

Drenica – Gjilani do të luhet të mërkurën nga ora 13:00, në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles