Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e ka parë raportin plotësues që ka ardhur nga Instituti Zviceran dhe ka thënë se prokuroria ka dalë me komunikatë ku ka përmendur vetëm disa prej konkluzionve.
Haxhiu ndër të tjera thotë se Prokuroria e ka manipuluar opinionin publik me komunikatën e saj, duke theksuar se ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari është vrarë, e jo vetëvrarë.
“Prej mënyrës se si është paragjykuar ky rast deri tek vdekja e dëshmitarit kryesor në rastin Dehari, pastaj falja e një pjese të dënimit për një person tjetër që po ashtu ka qenë dëshmitar kryesor, mënyra se si i kanë trajtuar provat ta zëmë një sapun me gjak një peshqir me gjak, pra mënyra se si i kanë trajtuar provat të çon tek përfundimi që ka qenë vrasje dhe jo vetëvrasje”, ka thënë Haxhiu në një intervistë në KTV.
Haxhiu thotë se në raport ceket se provat janë dëmtuar dhe si të tilla nuk kanë mundur të konfirmojë ADN-në e një personi të tretë. Ajo paralajmëroi nesër një komunikatë për media ku do t’i bëjë të ditura të gjitha hapat e ardhshëm.
“Ndërsa cka më la përshtypje në raportin e dytë se të gjitha provat që i ka marrë ky institut nga prokuroria, kishte thënë se mënyra si i janë dhënë provat, ato janë dëmtuar, ka qenë shumë e vështirë që të gjendet ADN apo t’u bëhet analizë atyre provave. Do ta lexojmë në detaje këtë raport. Po ashtu në lidhje me veprimet e Prokurorisë do të dalim nesër në një komunikatë me media. Do të jemi edhe në komunikim me familjen Dehari dhe do t’i bëjmë të qarta veprimet që kanë ndodhur”, shtoi ajo.
“Besoj që është e rëndësishme që këtë përgjigje ta marrim nga familja. Por pika e fundit në konkluzione thuhet se prova kryesore se për të ardhur deri tek e vërteta është trupi dhe rrjedhimisht ajo thotë se nuk është përdorur fare. Dikush duhet të marrë përgjegjësi se pse nuk janë bërë analizat e duhura të trupit. Pasi nëse lexon pikën e fundit thuhet se e vetmja mundësi për të ardhur tek e vërteta dhe nuk është dhënë mundësia që të përdoret aq sa duhet për provë. Nesër do të dalim me komunikatë”, përfundoi ajo.