Raportohet për parregullsi në zgjedhjet lokale në Serbi

Raportohet për parregullsi në zgjedhjet lokale në Serbi

Gjatë së dielës Serbia ka mbatur zgjedhjet lokale në Beograd dhe në 88 qytete e komuna të tjera.

Gjatë këtij procesi zgjedhor është raportuar për parregullësi të ndryshme, mirpo kryesisht në kushte të qeta votimi, raporton REL.

Zgjedhjet lokale u mbajtën edhe në Luginën e Preshevës, ku partitë shqiptare garuan me gjashtë lista zgjedhore, ndërsa në Bujanoc me katër.

Autoritetet serbe nuk raportuan për incidente serioze gjatë ditës, edhe pse liderët e opozitës u ankuan se partia në pushtet, Partia Progresive Serbe (SNS) vendosi “qendra të thirrjeve” për të ndikuar në votim.

Anëtarët e opozitës thonë se qendrat e thirrjeve u përdorën nga SNS-ja për t’i blerë votuesit dhe se ato përmbajnë lista alternative.

Ana Bërnabiq, ish-kryeministre nga SNS-ja dhe tani kryetare e Kuvendit, i mohoi akuzat.

“Ne e kemi një qendër të thirrjeve. Ne kemi anëtarë, të cilët, në ditën e zgjedhjeve, i ftojnë anëtarët dhe simpatizantët e tjerë, anëtarët e familjeve, fqinjët dhe miqtë për të dalë për të votuar”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Policia në Novi Sad tha se disa oficerë policorë u sulmuan, edhe pse shtoi se “nuk ka pasur incidente serioze”.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe u mbyllën në orën 20:00.

Përsëritja e zgjedhjeve në Beograd u mbajt njëkohësisht me zgjedhjet lokale në qytetet dhe komunat e tjera, pas kërkesës së opozitës, edhe pse një pjesë e saj tha se do t’i bojkotonte zgjedhjet lokale.

Asnjë palë nuk arriti ta formojë shumicën për Asamblenë e Qytetit në Beograd pas zgjedhjeve që u mbajtën në dhjetor, të cilat u kritikuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë, sipas të cilëve kishte “parregullsi” në zgjedhjet lokale dhe nacionale.

Ato shqetësime u bënë jehonë akuzave nga opozita se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiq, SNS, dhe aleatët e saj, kishin transportuan me autobusë votues posaçërisht në Beograd nga vende të tjera.

Një ndryshim në ligjin për zgjedhje në Serbi mundësoi që rivotimi në Beograd të mbahej njëkohësisht me zgjedhjet lokale në Novi Sad, Nish dhe në qytetet e komunat e tjera të vendit.

Megjithatë, disa grupe opozitare paralajmëruan bojkotimin e votimit prapëseprapë, për shkak se, sipas tyre, nuk ishin përmirësuar kushtet.

Një grup punues i përbërë nga përfaqësues të pushtetit dhe opozitës u formua në fund të prillit për t’i adresuar disa prej rekomandimeve të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), për përmirësimin e procesit të votimit.

Vëzhguesit e ODIHR i vëzhguan zgjedhjet lokale të 2 qershorit në Serbi.

Në Beograd, qytetarët votuan për t’i zgjedhur 110 anëtarë të Asamblesë së Qytetit për një mandat katërvjeçar, të cilët më pas votojë për emërimin e kryetarit.

Opozita e Bashkuara proevropiane bëri fushatë të madhe para zgjedhjeve në Beograd në dhjetor, me mesazhin marrja e kryeqytetit do të ishte hapi i parë drejt rrëzimit të Vuçiqit dhe aleatëve të tij, të cilët janë në pushtet prej vitit 2012.

Vuçiqi ka lidhur marrëdhënie diplomatike dhe tregtare me Rusinë dhe Kinën, si dhe i ka shpërfillur thirrjet e Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska më 2022./ REL

Related Articles