Rashiq: As Beogradi e as Prishtina nuk i duan serbët në diskutime për Asociacionin

Rashiq: As Beogradi e as Prishtina nuk i duan serbët në diskutime për Asociacionin

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq thotë se prej vitit 2013 kur ishte nënshkruar Marrëveshja e parë për Asociacionin, serbët lokalë ishin të neglizhuar nga bisedimet për këtë mekanizëm.

Madje sipas tij ai personalisht nuk është kontaktuar as nga Qeveria e Kosovës për të kontribuuar për dokumentin.

“Nuk jam konsultu nga Qeveria e Kosovës. Jo sepse tash kemi hy në atë bunkerin politik negociator, të them ashtu. Nuk mund të keni asnjë dokument, as ju as ne. Sipas informatave që kam, ata facilitatorë po insistojnë mos me dalë asnjë verzion. Dhe kur po thoni ju pse nuk keni qenë aty, unë po dyshoj në mënyrë të fuqishme se pasi që e vetmja përgjigje që e kam marrë në atë kohë prej Mogherinit, është që “it’s up to the sides” (varet prej palëve). Në këtë rast as Beogradi as Prishtina nuk na kanë dashtë brenda procesit, nuk e di pse”, ka deklaruar Rashiq në Tëvë 1.

Tutje ai e ka krahasuar këtë situatë duke e përmendur një nga jeta e përditshme.

“Të kishte ndodhë diçka në mahallën e juaj që do të kishte ndikim direkt në familjen tuaj dhe krejt ata kojshitë bisedojnë tanë kohën por ju nuk jeni ftuar asnjëherë. Dhe pas 10 vitesh kur kanë dalë në konkludim se nuk ka shansë me përfundu pa ty, a do të kishit marrë pjesë ju a jo?”, ka pyetur Rashiq në studio.

Tutje ai ka thënë që brenda procesit duhet të jenë disa element.

“Pa pas një përbërje me katër shtylla të përfaqësimit prej serbëve të Kosovës, komuniteteve të tjera, facilitatorët, ekspertët ndërkombëtarë dhe shqiptarët, këto elemente duhet të jenë brenda procesit”, ka shtuar Rashiq.

Related Articles