Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, deklaroi këtë të premte se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është obligim.
Në një deklarim për media, Rashiq tha se të gjitha marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë të arritura me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, duhet të respektohen.
Sipas tij, i mbetet ekzekutivit të gjejë formën se si do të bëhet Asociacioni, e cila është në favor të bashkëjetesës.
“Siç e kam thënë edhe më herët, në politikë dhe në institucione nuk mund ta anuloni të gjithë atë që ka ndodhur në mandatin paraprak, që do të thotë se ato obligime mbeten dhe ato obligime duhet të respektohen. Është tek ju ajo se çfarë forme, çfarë dizajni do të prezantohet ajo, kjo është diçka tjetër”.
“Në marrëveshjen e 2015 thuhet se të gjitha këto marrëveshje duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Për mua kjo është bazë e mirë për Qeverinë e Kosovës që të punojë në atë drejtim”, u shpreh Rashiq.
Ai tutje shtoi se duhet një tolerancë pozitive nga secili prej faktorëve në këtë aspekt dhe në këtë formë, ai ka thënë se beson që do të mund të krijohet një draft të idesë së çka mund të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.