Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se 11-vjeçarja e cila dyshohet se është përdhunuar nga pesë persona, në muajin qershor ishte raportuar si e zhdukur.
Përmes njoftimit për media, Prokuroria thotë se në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur, me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e njëjta është gjetur e intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore.
“Në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë. I njëjti ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet”, thotë më tej Prokuroria.
Poashtu, bëhet me dije se lidhur me rastin e viktimës, si rezultat i zhvillimit të hetimeve nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, janë dërguar në mbajtje pesë personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast, prej tyre dy madhor dhe tre të tjerë të mitur, për shkak të veprës penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së dhe për të njëjtit, Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit në gjykatën kompetente, me ç ‘rast gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë.
“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me institucionet relevante kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ofrimin e të gjitha shërbimeve për të dëmtuarën, kurse hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale. Në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë. I njëjti ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet”.
Në fund, prokuroria thotë se edhe rasti i fundit i 11-vjeçares dhe ai i muajit qershor, ndodhen në procese hetimore të ndara dhe i takojnë Procedurës për të Mitur, andaj, kufizimi i dhënies së informatave do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informata që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.