Më 7 korrik, Kosova u trondit nga një ngjarje e rëndë e cila ndodhi në qytetin e Lipjanit, ku Agon Zejnullahu, 27-vjeçar, mbeti i vdekur teksa Policia e Kosovës po tentonte ta arrestonte.
Që nga momenti kur u publikuan pamje nga rasti, një anti-fushatë kundër Policisë së Kosovës ka nisur në rrjete sociale, shkruan Gazeta Enigma.
Nga rasti i Zejnullahut, 5 policë u arrestuan si të dyshuar për “vrasje nga pakujdesia”.
Të nesërmen, qyteti i Lipjanit u mbush me grafite në mure me fjalë si: “Policia i ka duart me gjak”, “Policia e Kosovës të ndrydh derisa të vret”, “Kush na mbron prej policisë?”, “Policia të vret”.
Edhe organizata të tjera iu bashkëngjitën thirrjeve, ndërsa edhe protesta janë paralajmëruar për sonte, në Lipjan.
Ndërsa ka reaguar për rastin e Zejnullahut, kreu i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar si të dëmshme – siç i ka quajtur ai – “tendencat” për anti-fushatë ndaj Policisë.
“Dua të bëj të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo shkelur ligjin. Shërbimi në uniformë është fisnikëri, por autoriteti është përgjegjësi. Diskutimet publike e gjykimet publike janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit”, tha Kurti.
“Tendenca që të nisë një anti-fushatë ndaj Policisë është e dëmshme. Thirrjet për drejtësi e përgjegjësi janë të drejta, por ato më së miri realizohen me rezultatet e plota të hetimeve. Vetëm atëherë sigurohemi për llogaridhënie ndaj rastit, që situata të ngjashme të mos na përsëriten”, shtoi ai.
Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, ka kritikuar po ashtu anti-fushatën kundër Policisë së Kosovës, pas rastit të Zejnullahut.
Sipas tij, parulla “Policia e Kosovës të ndrydh derisa të vret”, e shfaqur në qytetin e Lipjanit, ka motive serbe.
Kjo, sipas tij, pasi ajo “nuk përmban elemente të pakënaqësisë së zakonshme qytetare, por është pjesë e një diskursi të konstruuar me elemente propagandistike”, si dhe “përdor të njëjtën gjuhë me linjat retorike që përdoren nga institucionet zyrtare të Serbisë, mediat shtetërore serbe dhe strukturat ilegale në veri të Kosovës”.
Ai thekson se parulla të tilla “kanë potencial të përdoren si mjet nxitës për destabilizim politik dhe psikologjik, sidomos në zonat urbane të ndjeshme ku shoqëria është më e ekspozuar ndaj përçarjeve politike”.
Tutje, Shala thekson se fushata të tilla janë sinjal i luftës hibride në diskursin politik të brendshëm të Kosovës.
“Pra, parulla e shfaqur në Lipjan është më shumë se një fjali provokuese – ajo është sinjal i infiltrimit të luftës hibride në diskursin politik të brendshëm të Kosovës. Nëse nuk trajtohet me serioz, ajo mund të përdoret si gur themeli për operacione të ardhshme të destabilizimit nga Serbia ose nga aktorë të tjerë anti-shtetërorë në rajon. Mbështetja ndaj Policisë së Kosovës nuk është thjeshtë politike – është strategjike dhe e domosdoshme për mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai për Enigmën.
Kritika në trajnimin e Policëve të rinj
Ish-Kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Valdet Hoxha, tha në një prononcim për Gazetën Enigma se mosprofesionalizmi i dukshëm i zyrtarëve policor, ka të bëj me faktin se periudha e trajnimit të tyre në Akademinë Trajnuese në Vushtrri, është shkurtuar nga 6 muaj, në 3 muaj, si dhe si dhe orët trajnuese sa i përket përdorimit të forcës dhe përdorimit të armëve janë zvogëluar.
“Duke marrë parasysh se periudha e trajnimit, nga 6 muaj është reduktuar në 3 muaj, po ashtu edhe orët trajnuese sa i përket përdorimit të forcës dhe përdorimit të armëve janë zvogëluar, parimisht është identifikuar problemi, prandaj duhet të adresohet saktë dhe unë besoj se krahas hetimit penal në rastin e fundit, Inspektorati Policor i Kosovës duhet të zhvillojë një inspektim të jashtëzakonshëm, për të inspektuar modulet e trajnimit, mënyrën e rekrutimit dhe procedurat të cilat e autorizojnë një zyrtar policor për të marrë autorizime policore, për vetëm një periudhë prej 3 muajsh”.
“Pra problemi është kohëzgjatja e shkurtë e trajnimit, mungesa adekuate e moduleve të trajnimit, ndoshta edhe fuzionimi i tepërt i moduleve të trajnimit, që ndoshta e bëjnë edhe krejt të pakuptimtë trajnimin”, deklaroi Hoxha për “Enigmën”.
Hoxha tha se ky është një rast që nuk do duhej të ndodhte, pasi në bazë të pamjeve dhe në bazë të fillimit formal të hetimit nga Prokuroria e Shtetit, krijohet perceptimi se në këtë rast ka eventualisht tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve policor.
“Por ne gjithmonë duhet të nisemi nga prezumimi i pafajësisë, derisa të ketë një vendim të formës së prerë. Ky parim duhet tërespektohet në këtë rast. Duhet të ketë një hetim gjithëpërfshirëstransparent, për ta vërtetuar gjithë gjendjen faktike”.
Tutje ish-Kryeshefi i IPK-së tha se pas shumë rasteve të ndodhura kohëve të fundit dhe rritjes së ankesave nga qytetarët ndaj zyrtarëve policorë muajve të fundit, ky rast duhet të jetë njëpikë kthese, nga ku shteti duhet ta trajtojë me seriozitet, që nga procedurat rekrutuese të zyrtarëve policorë, moduleve trajnuese në Akademinë Trajnuese në Vushtrri, kohëzgjatjen e trajnimit dhe me theks të veçantë përdorimin e forcës, si duarthatë, po ashtu edhe për përdorimin e armëve nga ana e zyrtarëve policorë.
Kujtojmë se Policia e Kosovës shpesh vlerësohet si një nga institucionet më profesionale dhe më funksionale në vend, krahasuar me sektorë të tjerë.
Në Raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, Policia shpesh përmendet si një nga institucionet më funksionale të sektorit të sundimit të ligjit.
Pavarësisht se ka sfida me korrupsionin dhe burimet njerëzore, raportet e KE-së theksojnë përmirësime në trajnime, operacione dhe bashkëpunim ndërkombëtar. /Gazeta Enigma