Rasti “Klan Kosova” – Opozita kritikon Qeverinë se po tenton t’ia mbyllë gojën mediave

Rasti “Klan Kosova” – Opozita kritikon Qeverinë se po tenton t’ia mbyllë gojën mediave

Një ndër televizionet më të shikuara në Kosovë e cila numëron rreth 200 punëtor, Klan Kosova është afër mbylljes.
E gjithë kjo pas shkeljeve që Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK),  pretendon se ka gjetur, në dokumentacionin e këtij mediumi, ku sipas tyre, ata e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, gjë e cila është në kundërshtim me Republikën e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

Përpos shumicës së mediave të cilat unanimisht i kanë dalur në krah Klan Kosovës, edhe përfaqësues të partive opozitare, po e fajësojnë Qeverinë se po tenton të ua mbyll gojën mediave, përmes mbylljes së Klan Kosovës.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, në një prononcim për Gazetën Enigma, tha se e gjithë kjo ‘betejë’, sipas saj, po bëhet për ta mbyllur çdo zë kundër ekzekutivit.

Ajo tha se si parti e kanë kundërshtuar këtë vendim, pasi që mediumi e ka rregulluar dokumentacionin konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Kjo qeveri po mundohet ta heshtë çdo zë kritik që është kundër Qeverisë. Nëse mbyllet Klan Kosova atëherë cili do të jetë hapi i ardhshëm i kësaj qeverie dhe kush do të sulmohet tjetër. Ne e kemi kundërshtuar vendimin e Qeverisë Kurti për mbylljen e mediumit “Klan Kosova” meqenëse kanë deklaruar se e kanë ndryshuar dokumentacionin sipas rregullores që është në fuqi” përfundoi ajo.

Nw ndwrkohw, anëtarja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga radhwt e LVV-sw, Arbërsha Kryeziu-Hyseni, deklaroi pwr Gazetën Enigma se zhvillimet nw cwshtjen e pronwsisw sw Klan Kosovws janw shqetwsuese.

“Se a ka pasur përmbushje të dokumentacionit të biznesit në fjalë, në javën që shkoi kur e patëm KPM-në në raportim, ata kanë thënë që jo, kshtu që, nuk e di se a mundemi me iu besu këtyre fjalëve që e kanë përmbushë dokumentacionin” tha ajo.

Kryeziu tha se ajo se çfarë po anashkalohet në publik është fakti se pronari e ka paraqitur biznesin në dokumentacione ku Peja e Gjakova paraqiten pjesë e Serbisë.

“Për mua është shqetësuese që në pasaportat e pronarit, shkruan Gjakovicë e Serbisë dhe Peq Serbia. Kshtu që mendoj që është diçka që edhe pse po anashkalohet prej diskutimit publik, shumë seriozisht duhet me u trajtu” shtoi ajo.

“Palët kanë drejtë me u anku dhe me i dorëzu dokumentet e tyre dhe do të shohim se kush ka pasur të drejtë deri në këtë moment. Vendimi që është marrë prej MINT-it, është i drejtë sepse kemi të bëjmë me një biznes që për vite të tëra ka operu dhe ka funksionu në Kosovë, ndërkohë me dokumentacione ka figuru si shtetas i Serbisë” tha tutje ajo.

Kryeziu tha se Klan Kosova brenda 15 viteve, tre herë kanë pasur kërkesë për dorëzim dhe verifikim të dokumentacionit, kurse cdo një vit kanë pasur ndryshim të pronësisë.

Ajo tha se ata kanë tentuar të mbulojnë këto dokumentacione nëpër organe të tjera.

“Dorëzimi i pronësisë është me ligj i obliguar me u lajmërua në KPM dhe me u marrë vërtetimi për ndryshim prej KPM-së, gjë që s’ka ndodhë me rastin e Klan Kosovës. Me sa unë e di, një kërkesë e kanë në 2008, një tjetër 10 vite më pas dhe një në 2020-ën, një rast për ripërtrirje të licensës. Brenda krejt kësaj periudhe kohore kanë qenë tre herë të njoftum, ndërsa cdo një vit ka pasë ndryshim të pronësisë të Klan Kosovës kshtu që krejt këto janë anashkalu dhe janë mbulu te organet e tjera, në ARBK ose kudo që ata kanë tentu me i ikë këtyre procedurave të rregullta” tha ajo.

E pyetur se si kanë ndodhur këto anashkalime dhe miratime pa verifikime nga ana e KPM-së, Kryeziu-Hyseni tha se KPM ka qenë i përbërë nga anëtarë të tjerë nga ata që janë tani kur kanë ndodhur këto shkelje si dhe se do të hetohen të gjitha këto.

“Tash KPM-ja e ka një bord që përbëhet prej anëtarëve të ri dhe drejtori i KPM-së është zotu në komisionin tonë parlamentar që kanë me e hetu rastin dhe janë të gatshëm me dhwnw përgjegjësi për krejt veprimet që janë bwrw. Por përgjegjësi do të japin ata që kanë qenë në krye të kalumën, pasi që tash bordi përbëhet prej njerëzve që nuk kanë qenë në KPM kur kanë ndodhë këto shkelje,” përfundoi ajo.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, përmes një postimi në Facebook ka bërë me dije shkeljet ligjore dhe ndryshimet në dokumentacione të pronarit ndër vite.

Muja dha datat për gjitha ndryshimet në pronësi që ka bërë biznesi, si dhe shkeljet nga ana e Komisionit të Pavarur për Media gjatë viteve, duke miratuar licencën e biznesit pa verifikim.


Si erdhi deri tek mbyllja e Klan Kosovës?

 Në dokumentacionet e treguara nga MINT, në dokumentacionet e pronarit të tanishëm të mediumit, qyteti i Pejës dhe Gjakovës, shkruhen në Serbisht, dhe Kosova paraqitet si pjesë e Sërbisë.

Më 14 Qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Aty thuhej se MINT, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër.

Më 21 Qershor, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për pezullimin e certifikatës së biznesit, por një ditë pas, ARBK njoftoi se është anuluar vendimi i një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova Sh.P.K.

Në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova, fakt i cili nuk qëndron, sipas mediumit në fjalë.

Me pas, Prestreshi është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Enver Haliti.

Klan Kosovës prapë iu dha këshilla juridike për ankesë në një afat prej 30 ditësh që nga data e pranimit të vendimit.

Më 28 Korrik, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve mori vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”. Vendimi i Komisionit e përmbylli këtë rast brenda Ministrisë, dhe i’a dorëzoi organeve të rendit të Republikës së Kosovës.

I menjëhershëm ishte reagimi i Klan Kosovës, e cila publikoi një artikull ku potenconin se MINT nuk po thotë të vërtetën dhe se ata me kohë kishin rregulluar dokumentacionin, në datën kur edhe u mor vendimi fillestar për pezullimin e certifikatës së biznesit.

Më 31 korrik, u mbajtë një protestë paqësore e thirrur nga Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës, kundër vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj “Klan Kosovës”.

Në protestë ishin të pranishëm gazetarë, kamërmanë dhe punonjës të mediave.

Motoja e protestës ishte “Demokracia vdes në errësirë”.

AGK, vendimin për mbylljen e “Klan Kosovës”, e ka cilësuar si “goditjen më të rëndë që i bëhet lirisë së medias në Kosovë që prej kohës së luftës”.

Ndërkaq, MINT, tha se vendimi ishte i drejtë dhe i bazuar në ligj.

MINT tha se Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë. /Gazeta Enigma/

Related Articles