Nusret Cena, 48 vjeçar dyshohet se është vrarë mbrëmë derisa ishte ne veturën e tij. Siç njoftoi policia persona të panjohur dyshohet se kanë shtënë në drejtim të veturës së tij me armë zjarri dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Por emri i Cenës është dëgjuar edhe më parë. Përveç se veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emri i tij është i njohur për organet e drejtësisë. Ai përmendet në rastin “Sekiraqa” dhe për një vrasjes së trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007, shkruan Insajderi.
Cena dyshohej se kishte gisht në shpërthimin që ndodhi në kafenenë “Sekiraqa”, me 27 shtator të 2007-ës. Por me të nisur procesi gjyqësor Nustret Cena ishte liruar nga akuzat.
LEXO EDHE: Pamje të djegies së veturës pas vrasjes së veteranit të UÇK-së në Kaçanik
Në aktakuzën e 30 shtatorit 2013, prokurorja e rastit “Sekiraqa” kishte kërkuar paraburgim për tre prej tetë të pandehurve në mesin e tyre edhe Nusret Cena.
Cena ishte paraqitur pa avokat dhe kishte shfrytëzuar të drejtën e tij të qëndrimit në heshtje
Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” ishin vrarë dy persona, Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe plagosur 11 të tjerë.
Emri i Nustret Cenës përmendej edhe në rastin e një vrasje të trefishtë që kishte ndodhur në Kaçanik në vitin 2007. Ai akuzohej për veprën penale vrasje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të akuzuarit Agron e Afet Dalloshi, Nusret Cena, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, janë marrë vesh dhe kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, kishin lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.
Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.
Cena dyshohet se mbeti i vrarë të hënën e 23 janarit. Vdekjen e 48-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku, teksa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.