Reagimet e fundit të ShBA-së e BE-së nuk e ndalën dot vendimin për “qortim”

Reagimet e fundit të ShBA-së e BE-së nuk e ndalën dot vendimin për “qortim”

Pavarësisht reagimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, vendimi për masën e qortimit ndaj drejtuesve të automjeteve me targa ilegale hyri në fuqi mesnatën e 1 nëntorit.

Javën e kaluar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bëri të ditur se kërkesa për shtyrjen e afatit për 10 muaj për konvertimin e targave ilegale serbe në RKS kishte ardhur personalisht nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Mirëpo po atë javë, Qeveria e Kosovës nuk e shtyu vendimin, veçse i shkallëzoi masat.

Ndërkaq, të hënën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, deklaroi se mesazhi i administratës së Bidenit për vendimin e kryeministrit Kurti për targat është i qartë.

“Përpjekjet tona janë në vazhdimësi. Ju e dini që ne lëshuam një deklaratë javën e kaluar për të bërë shumë të qartë besimin tonë dhe besimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë se Qeveria e Kosovës duhet të zgjasë periudhën e zbatimit”, thuhet të ketë deklaruar Price.

”Ne kemi qenë të qartë publikisht dhe privatisht se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kërkon një shtyrje të plotë të zbatimit të këtyre çështjeve. Ne nuk shohim një shtyrje të pjesshme. Ne nuk shohim zbatimin me faza. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës një shtyrje të plotë të zbatimit”, ka thënë ai.

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Kosova, përkatësisht Albin Kurti, po i injoron lutjet e Amerikës për marrëveshjen e targave.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i injoron lutjet e administratës Biden”, ka shkruar Grennell në Twitter.

Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, mbrëmë tha se tejkalimi i punës së targave nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e çështjeve kyçe ndërmjet Prishtinës edhe Beogradit.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Masrali, tha sot se BE-ja do të vazhdojë të punojë me Beogradin dhe Prishtinën për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave dhe u bëri thirrje të dyja t’i shmangur tensionet e reja.

Në konferencën për media në Bruksel, ajo ritheksoi se Prishtina ka të drejtë të zbatojë vendimin për ndërrimin gradual të targave ilegale, por se procesi duhet të zhvillohet në mënyrë të dakorduar, gjithëpërfshirëse dhe përmes dialogut.

Nga data 31 marsi deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.

Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Related Articles