Një grup i infermierëve të Klinikës Infektive në QKUK kanë reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë për ndarjen e 60 eurove si shtesa për punën e tyre gjatë pandemisë.
Infermierët kanë thënë se nuk i duan 60 euro, por edhe përkundër kësaj ata do të vazhdojnë punën me pacientë.
“Kështu të bashkuar do t’punojm, shtesat 60 euro nuk jau dojm! Mbani për veti, ndoshta ja u shihni hajrin!!!!”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.
Kundër vendimit të Qeverisë kanë reaguar edhe Oda e Infermierëve të Kosovës, si dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të cilët e kanë quajtur vendim skandaloz dhe ofendues për punëtorët shëndetësorë.
“Për punonjësit shëndetësorë të cilët angazhohen pa kursim në mbrojtje të shëndetit tonë, ndamë 2 milionë e 700 mijë euro, nëpërmjet të cilave do të mund të marrin shtesën neto prej 10 për qind të pagës bazë, por jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor 2021”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.