Spitali i Pejës ka dalë me një komunikatë për media për rastin e vdekjes së një foshnje, që sipas prindit vdekja ka ndodhur për shkak të neglizhencës së stafit mjekësor. Por, spitali ka mohuar pretendimet e prindit duke thënë se ka pasur asistim sipas protokollit të Mamive dhe Mjekëve Specialist, por që foshnja fatëkeqësisht ka lindur e vdekur.
Në reagimin e spitalit thuhet se “gjatë tërë kohës së qëndrimit e deri në momentin kur pacientja dërgohet në lindje nuk ka pasur ankesë nga ana e pacientes dhe mbikqyerja e pacientes ka qenë e vazhdueshme”.
Por, “rreth orës 16:20 mamia e dërgon pacienten në monitorim të rregullt me Ctg mirëpo nuk vërehen tonet e bebes”.
Spitali thotë se përpjekjet ishin skajshmërisht të mëdha dhe nuk bëhet fjalë për neglizhencë të stafit mjekësor.
Rasti në fjalë po hetohet nga policia e prokuroria.
Komunikata e plotë e spitalit:
Mbrëmë rreth orës 16:20 në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, është kryer një lindje në të cilën ka pasur asistim sipas protokollit të Mamive dhe Mjekëve Specialist, por që foshnja fatëkeqësisht ka lindur e vdekur.
Shtatëzëna në këtë rast është vizituar në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë më datë 7.03.2023 nga Mjeku Specialist dhe i është rekomanduar pranimi në Spital për lindje dhe gjatë vizitës janë respektuar të gjitha procedurat e parapara mjekësore dhe sipas protokolleve nuk është vërejtë asnjë shenjë rreziku i mundshëm për nënën dhe frytin.
Sipas parametrave obsterik lindja vendosët që të bëhet si lindje e rregulltë duke respektuar rregullat protokollare.
Gjatë tërë kohës së qëndrimit e deri në momentin kur pacientja dërgohet në lindje nuk ka pasur ankesë nga ana e pacientes dhe mbikqyerja e pacientes ka qenë e vazhdueshme.
Rreth orës 16:20 mamia e dërgon pacienten në monitorim të rregullt me Ctg mirëpo nuk vërehen tonet e bebes.
Me kërkesën e familjarëve lindja kryhet me prerje cezariane ku vërehet se fryti i vdekur i gjinisë femërore ka pasur të mbëshjtellur kordonin umbimical rreth trupit dhe dorës, që mendohet se mund të jetë shkaktar i mundshëm i vdekjes së papritur.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë kupton pikëllimin e familjarëve, dhe NE shprehim keqardhjen për familjarët dhe bashkëndjejmë së bashku me ta lidhur me këtë rast, por në anën tjetër sigurojmë ata dhe gjithë opinionin se nuk bëhet fjalë për asnjë neglizhencë dhe rasti nuk ka ndodhur për shkak të mos veprimeve apo veprimeve të Personelit tonë, veprime këto të cilat kanë qenë skajshmërisht të mëdha dhe të bazuara në protokollet lidhur me lindjet, por raste të tilla fatëkeqësisht nuk janë në dorën tonë që ti evitojmë.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë dhe Personeli ynë është duke bashkëpunuar plotësisht me organet hetuese që po merrën me këtë rast.