Refuzohet kërkesa e mbrojtjes nga Apeli, Nagip Krasniqi mbetet në paraburgim

Refuzohet kërkesa e mbrojtjes nga Apeli, Nagip Krasniqi mbetet në paraburgim

Gjykata e Apelit ka marrë vendim lidhur me ankesën e mbrojtjes së kryeshefit të pezulluar të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, e cila ka kërkuar lirimin e tij nga paraburgimi.

Apeli e ka refuzuar këtë kërkesë, duke e lënë Krasniqin në paraburgim.

Mbrojtja ka kërkuar që Krasniqi të lirohet nga paraburgimi dhe atij t’i caktohet një masë më e butë me qëllim që të sigurojë praninë e tij në procedurën penale si dhe në të njëjtën kohë, të respektohen parimet themeltare të drejtësisë.

Sipas vendimit që ‘Koha’ e ka siguruar, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të pandehur të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Gjykata në gjetjet e saj ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes nuk janë të qëndrueshme lidhur me mungesën e dyshimit të bazuar, ndërsa nuk janë të qëndrueshme as pretendimet lidhur me bazën e veçantë të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë.

Gjykata vlerëson se ekziston dyshimi se i pandehuri prej vitit 2022 e ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ku më 26 janar të këtij viti ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5 i emërtuar si ‘Riparimi i kapitalit emergjent i kaldajës blloku A5’ me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin SA, me çmim prej 3.495.392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik përkundër faktit që paraprakisht komisioni vlerësues i tenderit kishte rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit me arsyetimin se operatori nuk i është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta, për çka Krasniqi kishte urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit Ymer Dragusha që të nënshkruante këtë kontratë e cila duke mos u ekzekutuar Korporatës i ka shkaktuar dëme dhe pasoja të pariparueshme financiare në dëm të buxhetit”, thuhet ndër të tjera në aktvendim.

Gjithashtu Gjykata thotë se ka gjetur se gjatë vitit 2022 ka keqpërdorur pozitën pasi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut më 28 mars ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurorimit  në emër të tenderit “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” me operatorin “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”.

“Përkundër rekomandimit të KRPP në bazë të të cilit tenderi duhet të rivlerësohej dhe të shpallej tender i hapur në vlerë pre 60 mijë euro duke i shkaktuar dëm  buxhetit të Kosovës dhe përfitim të kundërligjshëm të operatorit të lartëpërmendur ekonomik”, thuhet në aktvendim.

Related Articles